Kokaina në Ekuador/ Lidhjet e PS me prokurorin që vonoi hetimet për “Arbi Garden”

Nga Boldnews.al

Kryeministri Edi Rama u mundua të largonte përgjegjësitë nga vetja për largimin e paligjshëm nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Për më tepër, në apologjinë e tij në sallën e Parlamentit, Rama përmendi faktin se prokurori Hajdarmataj, i cili po heton edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ka vonuar veprimet proceduriale për arrestimin kohë më parë të Arbër Çekaj dhe ka pushuar hetimet për këtë të fundit.

Arbër Çekaj dyshohet si i përfshirë në trafikun e 613 kg kokainë, të cilat u kapën në Durrës, në muajin Shkurt. Ndërkohë, ndaj tij ka pasur dyshime se ishte i përfshirë edhe në një ngarkesë rreth 90 kg kokainë, e cila është kapur në Ekuador, në kontenierët me banane që ishin porositur nga kompania e Çekaj, “Arbi Garden”. Pikërisht, për këtë rast, Edi Rama akuzoi prokurorin Besim Hajdarmataj se nuk ka kryer hetime.

Por, në fakt, e vërteta është shumë më ndryshe. Hetimi i vitit 2015 vijon të jetë ende i hapur. Dosja e asaj kohe as nuk është pezulluarj dhe as pushuar. Prokurori që po e ndjek këtë hetim të vitit 2015 është Ols Çela, por që Kryeministri Edi Rama kujdeset të mos ia përmend emrin.

Arsyet janë të shtjelluara në vijim:

Gjatë mandatit të ish-kryeprokurores, Ina Rama, prokurori Ols Çela ka qenë drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda. Gjatë drejtimit të tij, aktiviteti hetimor i kësaj prokurorie shënoi një ulje të ndjeshme të rendimentit.

Por ai u zgjodh në këtë pozicion për disa arsye ekstra-ligjore.
Së pari, ai kishte lidhje miqësore me kryeprokuroren Ina Rama. Kryeprokurorja Ina, e zgjedhur me mbështetjen e plotë të ish-kryeministrit Sali Berisha, e humbi shumë shpejt mbështetjen e tij. Shumë shpejt, në krah të saj u gjendën socialistët në opozitë të Edi Ramës. Ish-Kryeprokurorja, në këmbim të kësaj mbështetje, organizoi strukturën me qëllim që të siguronte mbështetjen për socialistët.

Ols Çela ishte zgjedhja e duhur për drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda. Krahas lidhjeve me Ina Ramën, Çela është po ashtu i njohur me Gramoz Ruçin, i cili në atë kohë ishte numri dy i Partisë Socialiste. Gjithashtu, Çela njihet si lidhje e ngushtë shoqërore me Alket Hysenin, një prej njerëzve më të besuar të Edi Ramës, kryefinancieri i Partisë Socialiste dhe aktualisht deputet i kësaj force politike dhe nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda për korrupsion dhe tjetërsim të pronave në bregdetin e Vlorës.

Partia Demokratike e ka denoncuar më shumë se një herë lidhjen Çela-Hyseni. Me ardhjen në detyrë të Adriatik Llallës, në dhjetor 2012, Ols Çela u lëviz nga pozicioni i drejtuesit të Krimeve të Rënda.

Gjithësesi, në rastin më të parë, ai duket se tregoi që mund të shërbente për socialistët, të cilët erdhën në pushtet në verën e vitit 2013. Në janar të vitit 2014, një operacion i Prokurorisë për Krime të Rënda, i orientuar nga autoritetet gjermane, zbuloi laboratorin më të sofistikuar të përpunimit të kokainës në Shqipëri, i vendosur në zonën e Xibrakës.

Ky operacion shënoi përplasjen e parë ndërmjet Prokurorisë dhe qeverisë. Ekzistonin dyshime të forta që laboratori ishte ngritur dhe funksiononte me mbështetjen e strukturave të larta shtetërore dhe policore. Madje, opozita e djathtë denoncoi publikisht se pas këtij laboratori fshihej vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.

Personat e arrestuar ishin të gjithë ish-pinjollë të familjeve komuniste, të konvertuar në socialistë. Pas arrestimit të personave të përfshirë, hetimi u ndoq nga prokurori Ols Çela. Vepra penale për të cilët ata akuzoheshin ishte për trafik lëndësh narkotike. Në asnjë rast nuk u bë verifikimi për lidhjet e mundshme të vëllait të kryeministrit me grupin “Xibraka”.

Në vitin 2015, Ols Çela ngarkohet me hetimin e rastit të zbulimit të 90 kg kokainë në kontenierët e “Arbi Garden”, në Ekuador. Por, deri më sot kur kanë kaluar mbi dy vjet e gjysëm, prokurori vazhdon ta ketë çështje nën hetim, pa arritur në konkluzion.

E, megjithatë, kryeministri Edi Rama, për të justifikuar shkarkimin e paligjshëm të Besim Hajdarmataj nga kreu i Krimeve të Rënda, i atashoi këtij të fundit dështimin për hetimin e parë ndaj Arbën Çekaj. Në fakt, dështimi, nëse mund të quhet i tillë është i një prokurori që e njohin shumë mirë si Edi Rama, ashtu edhe Gramoz Ruçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *