Denoncimi i PD, Nikolla tërhiqet nga mbledhja e kartave të identitetit të prindërve në shkolla

Pas denoncimit të Partisë Demokratike dje dhe sot për arsyet e fshehura që qendrojnë pas dorëzimit në shkolla, të të dhënave të kartave të idenitetit të prindëve të nxënësve, ka reaguar Ministria e Arsimit duke e tërhequr vendimin me një argumentim qesharak.

Skandali u ngrit si shqetësim i një prindi pranë ish-kryeministrit Sali Berisha dhe më pas, nga selia blu, që ngriti dyshimet se të dhënat personale të prindërve do të përdoreshin për të abuzuar me zgjedhjet.

Ja deklarata e plotë e Ministrisë:

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë kërkon të sqarojë komunitetin e prindërve dhe publikun për sa i përket kërkesës për mbledhjen e të dhënave nga prindërit se;

MASR po krijon rrjetin e komunikimit në kohë reale me prindërit dhe mësuesit. Ky sistem do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e stafeve të shkollave kundrejt komunitetit të prindërve të cilët duhet të jenë sa më të përfshirë me sugjerime dhe këshilla duke qenë të informuar për çdo rezultat apo nismë.

Për ta bërë efektiv dhe të sigurt këtë proces, është parë e nevojshme nga specialistët vendosja e NID si element sigurie, për të shmangur çdo gabim raportimi të të dhënave në emër dhe mbiemër që informacioni të jetë sa më i saktë dhe të shmang dublikimet.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë siguron se këto të dhëna nuk kanë asnjë qëllim të ndryshëm siç interpretohet nga subjekte të caktuara politike, por kanë një dhe vetëm një qëllim, informimin e prindërve se çfarë ndodh në çdo orë mësimi në çdo shkollë të Shqipërisë.

Theksojmë edhe një herë, se të gjitha akuzat drejtuar këtij procesi janë të ulëta, në rastin më të mirë dhe dashakeqe ndaj institucioneve të dijes ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve.

Për të shmangur spekulimin politik me këtë detaj që është vetëm teknik, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Nikolla ka nxjerrë urdhër për heqjen e kësaj kërkese.

Do të vijojmë më ngritjen e rrjetit të bashkëqeverisjes me prindërit dhe mësuesit edhe në mungesë të elementit NID.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *