Ura në hyrje të qytetit të Kukësit prej kohësh është dëmtuar në masë të madhe duke e bërë gjithnjë e më të rrezikshëm kalimin e automjeteve në të, ndërkohë që fluksi i trafikut në urë në prag të sezonit turistik është rritur ndjeshëm.
Hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar, çernierat të cilat shërbejnë për eleminimin e tronditjeve dhe lidhjen e trarëve janë dëmtuar, gropat në mes të rrugës, apo mungesa e kushteve të sigurisë për kalimin e këmbësorëve, tregojnë se mirëmbajtja e urës prej kohësh mungon.
Vetë drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar për gjendjen e urës dhe thonë se automjetet po u dëmtohen.
Ura e Drinit është mënyra e vetme për të hyrë e dalë nga qyteti, por edhe për të përshkuar “Rrugën e Kombit” drejt Kosovës apo Tiranës.
Ajo është ndërtuar në vitin 1974, pas përmbytjes së Kukësit të vjetër dhe pesha që mund të mbajë është rreth 35 ton.