Fishekët manovër të Eduart Selamit

Nga Boldnews.al

Kuvendi i Partisë Demokratike përkrahu në një shumicë absolute strategjinë e kryetarit Lulëzim Basha për organizimin e ri të organizatës politike. Ndër zërat e vetëm që u shfaqën kundër ishte ish-deputeti Eduart Selami, i cili në fjalën e tij evokoi vitin 1995, kur ai u detyrua të largohej nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Argumentat e Selamit nuk gjetën mbështetje në Kuvendin e PD-së të zhvilluar këtë të dielë, për faktin se nuk përcillnin asnjë risi të qënësishme, krahasuar me projekt-statutin e prezantuar nga një grup i rëndësishëm pranë kryetarit Basha.

Salami nuk gjeti mbështetje edhe për faktin se, prej rikthimit të tij në Partinë Demokratike në vitin 2013, ai nuk ka lënë asnjë shenjë të rëndësishme në politikë. Për më tepër, ai rezulton se ka qenë një ndër deputetët më të heshtur të legjislaturës 2013-2017 kur, me vullnetin e ish-kryetarit Sali Berisha, ai u rikthyer nga SHBA dhe u përfshi në listën fituese të deputetëve.

Por prania e tij në Parlamentin e Shqipërisë ishte thuajse anonime në 4 vitet që u ul në karrigen e parlamentarit. Institute i Studimeve Politike, një organizatë që është marrë periodikisht me monitorimin e aktivitetit parlamentar, ka evidentuar mungesën e madhe të aktivizimit politik të Eduart Selamit.

Sipas raporteve të ISP, Eduart Selami, në vitin 2015,  nuk ka folur asnjëherë në parlament. Në 6-mujorin e parë të vitit 2016, ai ka folur vetëm njëherë të vetme. Në vijim, ai rikthehet sërish në “qetësinë” e tij, pasi në vitin e fundit të mandatit si deputet, pra në periudhën 2016-2017, ai sërish nuk ka mbajtur asnjë fjalim në parlament.

Por jo vetëm kaq. Ai, si politikan, ka qenë thuajse inekzistent edhe në jetën publike dhe mediatike. Daljet e tij kanë qenë sporadike dhe, në çdo rast, për të dëshmuar një qëndrim kundër linjës zyrtare të Partisë Demokratike.

Eduart Selami u shfaq në publik në Maj 2016, në një kafe pune me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Në atë kohë, Partia Demokratike kishte qëndrim alternativ me ambasadorin Lu sa i përket Reformës në Drejtësi. Partia Demokratike ishte në përballjen e saj më të madhe me kryeministrin Rama, i cili synonte kontrollin e sistemit të drejtësisë nëpërmjet Reformës. Pra, PD duhet të përballej në dy fronte në atë kohë- me Edi Ramën dhe me ambasadorin Lu, i cili mbështeste variantin e Reformës së prezantuar nga kryeministri.

Në këtë situatë, Selami, në mënyrë sfiduese për lidershipin e PD-së, shfaqet në krah të ambasadorit Lu, në tentativë për të përcjellë idenë në publik se fraksione të partisë janë kundër strukturave drejtuese. Kjo tentativë ishte e dështuar, për shkak se pesha e Selamit në Partinë Demokratike ishte e papërfillshme.

Dalja e radhës e Selamit në skenën publike ishte në garën për kryetar të Partisë Demokratike, të zhvilluar në korrik 2017, ku ai ishte përballë Lulzim Bashës. Edhe në atë garë, pesha e tij rezultoi e papërfillshme.

Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të kësaj të diele, sërish Eduart Selami shfaqi qëndrimin e tij kundër dhe sërish, e kuptoi qartë se pozicioni i tij sfidues nuk jep asnjë efekt. Ndoshta ka ardhur moment që, bashkë me të tjerë, të nisin të japin kontributin e tyre për forcimin e Partisë Demokratike dhe ta zhvendosin objektivin e kritikave të tyre drejt kundërshtarit real, Kryeministrit Edi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *