Zekja i fasonëve: Punëtorët shqiptarë gati analfabetë, nuk janë produktivë

Tregu i punës në Shqipëri ka probleme të forta, duke filluar nga produktiviteti i ulët. Florian Zekja, përfaqësues i industrisë fason i ftuar në “Ekopolitikë” nga Aurora Sulçe, thotë se punëtorët në vendin tonë janë deri në nivelet e analfabetizmit dhe se qeveria duhet t’i orientojë drejt arsimit profesional.

“Produktiviteti i ulët është niveli i ulët profesional që ka Shqipëria. Kemi të bëjmë me punëtorë që janë deri në kushtet e anafabetizmit. Jo më të flasim për teknik të ulët apo të mesëm dhe të lartë.

Kjo duhet të vijë me politika orientuese nga ana e qeverisë, që duhet t’i orientojë drejt arsimit profesional. Një politikë largpamëse jo vetëm për katër vjet në pushtet, por për politika më afatgjata që njerëzit t’i orientojmë drejt punës”, shprehet Zekja.

Në emision u diskutua për kushtet e punës në Shqipëri, në prag edhe të 1 Majit, Ditës së Punëtorëve. E ftuar në panel, Elira Caushi, drejtore e Shërbimit Kombëtar të Punësimit deklaroi se në shumë raste, ata që janë të papunë, nuk pranojnë vendet që ofrohen nga zyrat e punësimit. Ajo solli rastin e të larguarve nga skema e ndihmës ekonomike, të cilët refuzojnë punët e ofruar.

“Kemi një numër refuzimesh. Është vërejtur sidomos në kontingjentin që doli nga ndihma ekonomike dhe ishte e çuditshme sepse ne morëm iniciativa bashkë me Bashkinë dhe Shërbimi Social Shtetëror për t’i riorientuar drejt tregut të punës dhe hasëm me një numër të konsiderueshëm refuzimesh.

Në përgjithësi të gjitha punët që ofrohen janë brenda profilit që ata kanë nevojë. Edhe për ne ka qenë një fakt interesant për t’u orientuar. Këto kategori duhet të informohen. Kemi pasur edhe raste kur kanë bërë intervistën, kanë shkuar në punën dhe pas disa ditësh e kanë lënë”, shprehet Caushi.

Ndërkaq, i ftuar në panel kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla dekaroi se do të kërkohet rritje e pagës minimale. Sipas tij, edhe pse Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike, kjo nuk është reflektuar në punësim./ekonomix/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *