Gjermanët skeptik: Edi Rama, dëshmo që nuk kontrollon sistemin e drejtësisë

Nga Boldnews.al

Zyrtarë të lartë gjermanë kanë vënë në dyshim të gjithë Reformën në Drejtësi në Shqipëri, duke iu referuar bllokimit të hetimeve për Saimir Tahirin. Edi Rama duhet të ketë qenë shumë në siklet kur Ministri për Europën në qeverinë gjermane, Michael Roth.

Sipas një raportimi të stacionit publik Deutche Welle, i publikuar edhe nga “Boldnews.al”, zoti“…Veç lëvdatave për arritjet në procesin e Vettingut, Roth nuk harroi t’i kujtonte mikut të tij socialist, se reforma gjyqësore pa një proces kundër ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të bëhet. Ndaj duhet filluar procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahirit për të dëshmuar kështu se pavarësia e gjyqësorit me të vërtetë funksionon..”, tha Roth.

Gjigandi mediatik gjerman e konsideron ministrin Roth si mik të Partisë Socialiste të Edi Ramës. Kritikat e tij pa dorashka lidhur me trajtimin e Reformës në Drejtësi dhe sidomos të rastit “Tahiri” duhet të kenë qenë një dush më i fortë për kryeministrin shqiptar. Ky qëndrim i Roth vjen menjëherë pas “shuplakave” të dhëna më parë nga Günther Krichbaum, kreu për çështjet e zgjerimit të BE në Bundestagun gjerman, për të cilin Edi Rama u shpreh se “nuk është miku i tij”.

Kjo situatë me skeptikët gjermanë do ta detyrojë kryeministrin Rama për të modifikuar sjelljen e tij në raport me kriminalitetin dhe sidomos me ish-ministrin e tij “kampion”. Por, ndoshta këtu do të jetë edhe pika e tij më e ulët gjatë 5 viteve qeverisjeje.

Rama e mbrojti Tahirin përsa kohë e kishte krahun e tij të djathtë, edhe atëherë kur Shqipëria u kanabizua. Kryeministri gati e lëshoi në duart e Prokurorisë Tahirin, kur u kërkua autorizimi për arrestimin e tij në Tetor 2017. Por, një lëvizje e çuditshme e zhvilluar në orët që pasuan kërkesën e prokurorëve, ndryshoi rrjedhën e gjëravee.

Edi Rama, nga një qëndrim “mbështetës” për prokurorët, u shfaq i shfyturuar dhe përkrahës për Saimir Tahirin në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u vendos që të majtët nuk do të përkrahnin kërkesën e prokurorisë në votimin parlamentar.

Prej asaj kohe, kanë rrjedhur shumë ujëra, sidomos në sistemin e drejtësisë. Në bazë të manovrave politike, Prokuroria u shndërrua në një zgjatim të qeverisë. Pasoja direkte është zvarritja dhe bllokimi i hetimit për Saimir Tahirin, i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Edi Rama nuk pranon t’i jetë bërë presion nga Tahiri. Ai deklarohet i bindur se çështjen e tij ia ka lënë ta trajtojnë në mënyrë ekskluzive vetëm organet e drejtësisë. Por, është e qartë se zyrtarët e lartë gjermanë nuk e besojnë aspak Edi Ramën sa i përket hetimit të rastit “Tahiri”.

Në aspektin formal, ish-ministri i Brendshëm është nën hetim nga Prokuroria dhe vetëm ky institucion mund të vendosë nëse duhet të dërgojë rastin në gjykim ose jo. Por, fakti që autoritetet gjermane ia kërkojnë këtë kryeministrit të vendit, dëshmon se ata e dinë që “çelësin” për hetimin e mëtejshëm ose jo e ka vetëm Edi Rama. Pra, për gjermanët, Edi Rama ka në dorë sistemin e drejtësisë. Një kryeministër që ka në dorë sistemin e drejtësisë, është e qartë, që nuk hyn aspak në preferencat e Gjermanisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *