Nga Boldnews.al
Nuk mund të harrohet ai reagim i kryeministrit Edi Rama kundër Prokurorisë së Krimeve në Rënda në tetor të vitit të kaluar, ndërsa kërkonin arrestimin e ish-ministrit të Bredshëm Saimir Tahiri. Rama e mbrojti fort, duke e shpëtuar nga arresti me burg, por mbase duhet të jetë penduar, tashmë që Europa ia ka bërë të qartë se ndërhyrja në sistemin e drejtësisë në rastin Tahiri, ishte një gjest që sot na kushtëzon deri me hapjen e negociatave me BE-në.
Ministri i Shtetit për Evropën, deputeti gjerman i SPD-së, Michael Roth, në takimin me kryeministrin Rama në fondacionin e partisë socialdemokrate ka theksuar se reforma gjyqësore pa një proces kundër ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri, nuk mund të bëhet. “Duhet filluar procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, për të dëshmuar kështu se pavarësia e gjyqësorit me të vërtetë funksionon”- tha Roth, ndërsa këshilloi mikun Rama se në këto kushte, kjo vlen më shumë për vendin tonë.
Por kryeministri Edi Rama veç mesazhit nga vendet e Bashkimit Europian, që e përmendin Tahirin me emër të përvetshëm, ka marrë edhe mesazhin direkt nga Tahiri. “Nuk ka bir nëne e birë kurve që të më pengojë mua për të pasur drejtësi”-deklaroi pak ditë më parë Tahiri. Duke përdorur shprehjen e famshme të Ramës, ish-ministri e dha mesazhin publik, duke preferuar të mos zgjedhë rrugën “private” për ta kërcënuar. I ndodhur në kushtet e një trysnie ndërkombëtare, Rama duhet të zgjedhë; ose ish-ministrin ta dorëzojë para drejtësisë, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ose të përballojë kërcenimet që mund t’i vijnë prej tij. Me gjasë Rama do të luajë edhe kartën e fundit, duke mos e lëshuar ish-ministrin e tij, me shpresë se BE-ja do hapë negociatat me Shqipërinë.
Ky kryeministër që si punë të parë ka “propagandën” dhe fasadën, gjatë takimeve me personalitete të vendet e BE-së, nuk është si para administratës sonë që qëndron kokëulur, gëzohet me praninë e tij dhe i duket ora minutë, kur ai flet “aq bukur” për ta… E gjithë armata ndërkombëtare kërkon rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të dy këto “sektorë”, janë kthyer në normalitet në vendin tonë. Korrupsioni në nivelet e larta shtetërore është një nga ato pika që Rama nuk e kapërcen dot përballë personaliteteve të huaja. Kjo mbetet edhe arsyeja që Rama pas ardhjes nga Berlini do ketë shumë pak ditë afat për të lëshuar “ministrin e tij më të suksesshëm”, por pas tij radha mund tu vijë edhe të tjerëve, pasi Tahiri mund të hapë qeli të reja për të tjerë funksionarë të lartë të shtetit.