Sulmi i Torontos, i dyshuari me tendenca misogjiniste

Agresori i dyshuar për sulmin me kamion në Toronto, kishte shfaqur tendenca misogjiniste në postimet e tij në rrjete sociale. Policia kanadeze konfirmoi madje se shumica e viktimave të tij ishin gra. I dyshuari u akuzua nga gjykata për vrasjen e 10 personave dhe vrasjen e mbetur në tentativë për 13 persona të tjerë.

Drejtuesi i një kamioni, i cili vrau 10 persona në Toronto, kishte shprehur vlerësime për një vrasës misogjinist përmes një postimi në Facebook.

Alek Minassian, 25 vjeç, shkruante kështu: “Rebelimi i Misogjinistëve ka filluar! Të gjithë përkuljuni Zotërisë Suprem Elliot Rodger,”, duke ju referuar një 22-vjeçari amerikan i cili vrau 6 persona në Isla Vista të Kalifornisë në 2014, përpara se të vetëvritej.

Platforma sociale Facebook konfirmoi se postimi kishte qenë i vërtetë.

Alek Minassian u akuzua të martën për 10 vrasje dhe 13 vrasje të mbetura në tentativë. Sipas policisë, agresori duket se i ka goditur qëllimisht kalimtarët, duke u ngjitur vazhdimisht mbi trotuar me kamionin e tij të marrë me qira.

Shumica e viktimave të tij u konfirmuan nga Policia e Torontos se ishin gra. 25-vjeçari u arrestua disa blloqe më tej vendit ku shkaktoi terror, pas një përballejeje të tensionuar me policinë. Ndërkohë, në paraqitjen e tij përpara gjykatës ku ai u akuzua për 10 vrasje, Minassian u shfaq i qetë, duke treguar vetëm pak emocione përgjatë seancës.

Persona të cilët e njohin 25-vjeçarin e kanë përshkruar atë si një njeri jo shumë social, por që nuk kishte treguar asnjëherë shenja dhune.

Minassian kishte ndjekur më parë një shkollë për studentë me nevoja të veçanta në veri të Torontos, ndërkohë që kishte qenë anëtar i Forcave të Armatosura Kanadeze për 2 muaj në vitin 2017. Sipas këtyre forcave, ai kishte kërkuar largimin në mënyrë vullnetare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here