Akademia Suedeze, e cila përzgjedh fituesin e çmimit Nobel për Letërsinë, ka pranuar se emrat e disa prej laureatëve të mëparshëm janë bërë publikë përpara ceremonisë së ndarjes së çmimit. Në një hetim të nisur nga një firmë ligjore mbi skandalet më të fundit që kanë përfshirë këtë institucion, rezulton se rregullat e konfidencialitetit brenda Akademisë janë shkelur në disa edicione të ndarjes së çmimit Nobel.
Hetimi gjithashtu tregoi se brenda Akademisë është zhvilluar “një sjellje e papranueshme në formën e initimitetit të padëshiruar, gjë për të cilën institucioni nuk ka qenë në dijeni.” Ky konkluzion i referohet skandalit seksual disa-mujor që përfshin bashkëshortin e një prej anëtareve të Akademisë.
I gjithë debati nisi kur 18 gra akuzuan publikisht fotografin e njohur Jean-Claude Arnault për sjellje jo të hijshme ndaj tyre. Skandali detyroi bashkëshorten e fotografit të tërhiqej nga Akademia, ndërkohë që edhe sekretarja e përhershme e trupës, Sara Danius lajmëroi largimin e saj.
Në një deklaratë për shtyp, Akademia Suedeze pranoi se këto skandale kanë dëmtuar në mënyrë serioze reputacionin e trupës prestigjioze. Megjithatë, në deklaratën e Akademisë bëhet e ditur se rregullat antike të cilat qeverisin këtë organizëm hermetik, do të rishikohen dhe ndryshohen.