Rënia e euros po “fundos” ndërmarjet eksportuese. Kryetari i Dhomës së Fasonistëve, Gjergji Gjika dha alarmin në studion e emisionit Ekopolitikë të Aurora Sulces, teksa deklaroi se pikiata e euros, monedhë me të cilën kryejnë aktivitetin eksportuesit ka ulur fitimin e tyre me 12% nga 15% që është e gjithë norma e fitimit.
Gjika deklaroi se biznesi ndodhet në një situatë të vështirë, pasi përvec euros, faktor që ndikon negativisht është edhe shtimi i kostove nga taksat e larta.
“Ne jemi futur në vorbull tani, nga e cila nuk dalim dot. Kemi një goditje nga shteti që na kanë vendosur taksa 50%. Kanë dorë të rëndë këta. Kemi anën tjetër që i shpallën luftë euros dhe kemi goditje të fitimit neto të ndërmarrjeve eksportuese 12%. Ne e kemi fitimin tek diku 15%”, deklaroi Gjika
Rënia e euros vijon tashmë që prej fillimit të vitit, por ka qenë më e ndjeshme në dy muajt e fundit. Monedha europiane e mbylli javën në kuotën e 129.2 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2009. Dobësimi i euros ka pasoja për ekonominë vendase, pasi godet eksportet, që janë një burimet që gjeneron rritjen ekonomike. Ulja e të ardhurave për eksportuesit përkthehet në pamundësi për të riinvestuar nga ana e tyre apo për të hapur vende të reja pune.