Juventusi ka filluar të interesohet në lidhje me mbrojtësin e krahut të Paris Saint-Germain, Thomas Meunier.
Bardhezinjtë kanë nevojë urgjente për një mbrojtës të djathtë, pasi Stephan Lichtsteiner është pothuajse i sigurt që do të largohet nga klubi në fund të sezonit për shkak të moshës së tij.
Sipas “Rai Sport”, “Zonja e Vjetër” ka treguar interes ndaj Meunier dhe kanë marrë një përgjigje inkurajuese nga drejtuesit e Paris Saint-Germain. 26-vjeçari ka shënuar katër gola këtë sezon ndërsa ka dhënë edhe tre asiste në 19 paraqitje në Ligue 1, por bëri vetëm një paraqitje në Ligën e Kampionëve dhe këtë si zëvendësues.
Meunier është një lojtar që premton shumë, por Paris SG është e detyruar të shesë pas shumave marramendëse që shpenzoi në verën e shkuar ku afruan vetëm Neymar për 222 milionë euro.
Një tjetër transferim me kosto shumë të mëdha ishte edhe ai i yllit francez Kylian Mbappé.
Mësohet se UEFA po e monitoron me shumë kujdes situatën financiare të kampionëve të Francës dhe nëse ata nuk janë në rregull me përgjegjësitë financiare të Fair Play pritet të marrin një dënim shembull në Evropë.
Sipas mediave franceze, PSG rrezikon të përjashtohet me një vit nga Champions League nëse ka probleme financiare ose nuk justifikon shpenzimet që ka bërë në sezonet e fundit.
Ata duhet të shesin disa yje për të rregulluar bilancet dhe një ndër ta pritet të jetë edhe Thomas Meunier, i cili do të sakrifikohet.
Përveç Neymar që u transferua për 222 milionë euro edhe afrimi i Mbappé do të ketë një kosto prej 180 milionë euro nëse drejtuesit e PSG vendosin ta bëjnë të përhershëm transferimin e tij në korrik nga Monaco.
Megjithatë pavarësisht shpenzimeve të jashtëzakonshme sërish Paris SG nuk pati sukses në Champions League duke u skualifikuar që në çerekfinale nga Real Madridi.