Zbardhen shifrat, ja sa pagoi Anderlehti për të transferuar Abazajn

Kristal Abazaj firmosi dje me klubin më të madh belg, Anderleht. Talenti i Luftëtarit, që është në pronësi të Skënderbeut, ka zyrtarizuar kontratën 3- vjeçare me opsion rinovimi edhe për dy sezone të tjera me skuadrën rekordmene të Belgjikës.

Ka qenë vetë klubi i Anderlehtit, që ka bërë publik lajmin në orët e pasdites së të hënës, ndërsa Skënderbeu dhe Luftëtari kanë mbajtur gjithçka të fshehtë.

“Operacioni” është mbyllur me sukses pas negociatave me ditë të tëra në Bruksel, ku enkas janë marrë drejtori sportiv i korçarëve, Haris Fakiç, si dhe agjentët Shkumbin Qormemeti dhe Elton Marini.

SHIFRAT

Ka qenë një transferim surprizë, që futet në historinë e futbollit shqiptar si më i shtrenjti i të gjitha kohërave nga një skuadër e Kategorisë Superiore drejt një klubi europian.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë dy klubeve (Skënderbeu dhe Luftëtari), se në total shitja e Abazajt ka shkuar 1.2 milionë euro. Kontrata fillestare është nënshkruar për 750 mijë euro, por mësohet se nëse Anderleht fiton titullin kampion këtë sezon dhe Abazaj luan një numër të caktuar ndeshjesh në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve gjatë edicionit të ardhshëm, gjithçka kompletohet me 1.2 milionë euro.

Klubi belg do të bëj pagesën në tre këste, duke filluar nga muaji qershor i këtij viti, kur talenti tropojan lirohet nga Luftëtari, teksa deri në fund të sezonit është dhënë në formë huazimi. Abazaj do të përfitojë 200 mijë euro neto në vit, me një kontratë që pritet të jetë progresive, në rast se lojtari përmbush pritshmëritë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *