Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar të tepërt dhe të pastudiuar projektin për tarifën e qarkullimit në Rrugën e Kombit. Pjesëmarrës në aktivitetet e mbajtura në Kukës në kuadër të 19 vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës, ai tha se politika në Tiranë e Prishtinë nuk duhet të fusë duart ne xhepat e qytetarëve sa herë kalojnë kufirin.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përsëriti nga Kukësi qëndrimin e tij kundër pagesës për Rrugën e Kombit.
Pjesëmarrës në aktivitetet në kuadër të 19 vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës, Kurti tha se vendimi ishte i tepërt dhe i pastudiuar.
Kurti kërkoi që politika në të dy anët e kufirit duhet të bëjë me shumë për projektin e bashkimit doganor mes dy vendeve dhe zgjidhjen e çështjes së interkonjeksionit mes dy vendeve.
Kurti: Besoj se mirëmbajtja e rrugës do të mund të rregullohej ndryshe jo duke futur duart në xhepat e zbrazët secilën herë që kalojmë aty. Duhet të angazhohemi për afrimin, integrimin dhe bashkëpunimin sa më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë që të rrisim prodhimin vendas.
Kukësi ishte qyteti që priti i pari dhe mbajti peshën më të madhe të eksodit të shqiptarëve të Kosovës, dhe në krye të kundërshtimit për tarifën e Rrugës së Kombit, ndaj Kurti e cilëson qytet heroik.
Kurti: Në luftë për shkak të ndihmës së jashtëzakonshme që i ka dhënë popullit të Kosovës, ndërkaq në paqe për shkak të qëndrueshmërisë përkundër varfërisë, mungesës së zhvillimit dhe në kushtet kur autostrada e Kombit që e duam të gjithë ne, e la disi anash dhe për çfarë ai nuk u kompensua asnjëherë.
Lideri i Vetëvendosjes mori pjesë në disa prej aktiviteteve të organizuara në përkujtim të eksodit të vitit 1999.