Konflikti Llalla-Lu dhe dy histori me 14 milionë dollarë

Nga Boldnews.al

Donald Lu kishte mundësinë e artë të largohej nga Shqipëria si hero. Por, ai zgjodhi të mbyllë mandatin e tij në Tiranë si karagjoz. Me shumë mundësi, mungesa e eksperiencës në rolin e ambasadorit, ndikoi që ai të shndërrohej në një prej amerikanëve më pak të pëlqyer në Shqipëri.

Në fillim të mandatit të tij në Shqipëri, Donald Lu u shfaq një diplomat i këndshëm dhe i vendosur për të realizuar Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Por, përtej këtij petku “reformatori”, shumë shpejt u zbulua se ai po hynte dhunshëm në lojën e pushtetit ballkanas.

Me justifikimin e Reformës në Drejtësi, Lu zgjodhi të pozicionohej në favor të kryeministrit Edi Rama, duke goditur në vijimësi opozitën shqiptare. Ambasadori Lu mori edhe rolin e “eminencës gri” të Partisë Socialiste kundër Ilir Metës dhe LSI-së, të cilët ishin aleatë bashkë-qeverisës në periudhën 2013-2017.

Dhe, më e fundit dhe ndoshta më e zhurmshja, është debati shterpë që ambasadori Lu ka zhvilluar me Adriatik Llallën, Prokuror i Përgjithshëm deri në dhjetor 2017. Diplomati amerikan ka zgjedhur që të vijojë debatin me Llallën edhe pasi ky i fundit u largua nga posti. Këtu është shenja më e madhe e dobësisë së tij si diplomat. E nga këtu mund t’i vijë fundi i karrierës së tij, por ndoshta edhe më shumë se sa kaq.

Donald Lu, për shkak të ndikimit të madh që ka mbi qeverinë e Edi Ramës dhe mbi Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, duket i vendosur të sigurojë kushtet për arrestimin e Llallës, në bazë të një procesi okult dhe me prova të stisura apo pa prova.

Tek Adriatik Llalla, më shumë se sa tek liderët politikë, Donald Lu kërkon përgjegjësin për dështimin e detyrës së tij, por edhe arsyen se përse interesat personalë nuk shkuan ashtu siç i kishte parashikuar.

Në vitin 2015, ambasadori Lu kërkoi pushimin e një hetimi të nisur nga prokuroria ndaj kompanisë kanadeze të naftës Bankers Petroleum. Kjo kompani, gjatë aktivitetit të saj, kishte dëmtuar më shumë se 200 shtëpi dhe shumë sipërfaqe toke në zonën e Fierit. Prokuroria lokale kishte nisur hetimin për rastin.

Donald Lu takon Adriatik Llallën, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, të cilit i kërkon me insistim pushimin e hetimeve. Këmbëngulja e ambasadorit amerikan për këtë hetim ishte tërësisht e pavend, për shkak se po ndërhynte në çështje të brendshme të Shqipërisë, për më tepër për një kompani që nuk ishte amerikane.

Në rrethet e biznesmenëve shqiptarë të karburanteve, përflitet se për “mundimin” që të parashtrohej kërkesa për pushimin e hetimeve, ishin premtuar rreth 5 milionë dollarë. Shifra është stratosferike dhe nuk mund të gjendet asnjë evidencë për ta faktuar. Gjithësesi, ajo që është e vërtetë është që Donald Lu ka kërkuar mbylljen e hetimeve. Këtë e ka konfirmuar vetë Adriatik Llalla në një intervistë dhënë në Shkurt 2017 në emisionin “Opinion”. Ambasadori Lu nuk e ka kundërshtuar asnjëherë faktin që ka ndërhyrë për çështjen “Bankers Petroleum”. Dhe, natyrisht, as nuk ka shpjeguar se cili ishte interesi i tij për pushimin e hetimeve. (Sa për kronikë, hetimi për Bankers Petroleum vijon të jetë ende i hapur në Prokurorinë e Fierit).

Por, disa të dhëna mbi këtë çështje, Adriatik Llalla ia ka vënë në dispozicion Kongresit Amerikan në Maj 2017. Një pjesë e këtyre të dhënave u bënë publike nga letra që Llalla i ka dërguar Kongresit. Por, njerëz të afërt me ish-Prokurorin e Përgjithshëm shprehen se, krahas letrës së bërë publike, Kongresi ka edhe të dhëna shtesë, fakte konkrete mbi ato që gjenden të shkruara në dokument.

Raporti direkt i Llallës me kongresmenë, kryesisht ata konservatorë që po hetojnë mbi ndikimin e George Soros në Ballkan, prishi qetësinë e Donald Lu. Pas publikimit të letrës, javën e kaluar, ambasadori doli nga roli i tij diplomatik, duke lëshuar një seri akuzash ndaj ish-Kryeprokurorit. Qartësisht, Donald Lu e kishte humbur qetësinë.

Dhe, qartësisht, raporti i tij me paratë gjatë mandatit në Shqipëri, rezulton që ka qenë difektoz. Një investigim i grupit “Judical Watch”, publikuar vetëm pak javë më parë, zbuloi se si rreth 9 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë janë hedhur “në erë” në Shqipëri.

Në vitin 2016, Departamenti i Shtetit, nëpërmjet USAID-it, kishte alokuar fondin 9 milionë dollarësh për të kontribuuar në forcimin e demokracisë në Shqipëri. Por, siç rezultoi nga investigimi i “Judical Watch”, këto para, me ndërmjetësinë e zyrtarëve të rëndësishëm në Ambasadën Amerikane në Tiranë, i kaluan Fondacionit Soros.

Pra, janë rreth 9 milionë dollarë, për të cilat Kongresi Amerikan po heton mbi destinacionin final. Ambasadori Lu do të duhet të shpjegohet para autoriteteve amerikane për “zhdukjen” e këtij fondi gjigand. Siç, me shumë mundësi, do të duhet të shpjegohet edhe lidhur me “interesin e veçantë” për pushimin e hetimeve për Bankers Petroleum, për të cilën Kongresi është njoftuar zyrtarisht nga Adriatik Llalla rreth një vit më parë.

Nëse për një moment e konsiderojmë të mirëqenë se shifra për të marrë rolin e “ndërhyrësit” për “Bankers Petroleum” është 5 milionë dollarë, atëherë emri i Donald Lu lidhet me një total prej 14 milionë dollarësh, duke mbledhur këtu edhe fondet e USAID-it që shkuan në llogaritë e Fondacionit Soros.

Pra, Donald Lu, krahas njëanshmërisë së theksuar në politikën shqiptare, po largohet nga vendi ynë me një pikëpyetje të madhe lidhur me shifrën 14 milionë dollarë. Shifër shumë e madhe, disa dhjetra herë më e madhe sesa ajo që ka qarkulluar Adriatik Llalla me burim të rregullt dhe të konfirmuar.

Autoritetet hetimore amerikane kanë krijuar shprehjen “follow money” (ndiq paranë). Ata e dinë se si mund të zbulohet devijimi i miliona dollarëve, aq më tepër kur ato janë të taksapaguesve amerikanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *