Juventusi, 3 gola Sampdorias dhe merr ‘arratinë’

Mëritë e Champions League mënjanë dhe Juventusi kthehet të dominojë në Itali sikundër bën këto 7 vitet e fundit. Ashtu si edhe në Madrid, në Torino bardhezinjtë shënojnë 3 gola në portën e Sampdorian dhe marrin arratinë nga Napoli i vendit të dytë, që nuk shkoi më larg sesa një barazim 0-0 me Milanin. Juventusi hidhet në sulm që nga minuta e parë, por goli i avantazhit do të vijë vetëm në fund të 45-minutëshit.

Dagllas Kosta do të harkojë nga e majta në qendër të zonës, aty ku Manxukiç nuk gabon në volej dhe ndryshon shifrat në tabelën elektronike. Në pjesën e dytë, të zotët e shtëpisë do ta kenë edhe më të thjeshtë. Në minutën e 60-të sërish braziliani Kosta do të asistojë për gol, kësaj radhe befetitet i merr Benedikt Houedes. Gjermani me kokë do të realizojë golin e tij të parë në ndeshjen e tij të dytë në Serinë A, një sezon ky që e ka kushtëzuar nga dëmtime të shpeshta.

Do të ketë lavdi dhe për Sami Khedirën, gjermanin tjetër të Juventusit. Edhe ky përfiton shërbimet e Dagllas Kostës dhe me të djathtën vulos rezultatin 3-0. Kështu, të besuarit e Alegrit e shohin veten tashmë në 6 pikë diferencë me Napolin dhe përpara sfidën direkte të së dielës, do të udhëtojnë në Krotone në mesjavë.

Milani, “asist” Juves
Një nga sfida kryesore e javës së 32-të në kampionatit italian, ajo mes Milanit dhe Napolit është mbyllur me rrjeta të paprekura. Pavarësisht se të dyja ekipet kanë tentuar ta fitojnë këtë takim, pasi kuqezinjtë kërkonin objektivin e “Championsit”, ndërsa miqtë atë të titullit kampion, në fund skuadrat janë ndarë vetëm me një pikë. Kjo mund të quhet një “dhuratë” që ekipi i Gatuzos i bën Juventusit pas eliminimit aq shumë të kontestuar të bardhezinjve nga “Champions League”.

Milani e nisi më mirë ndeshjen, por me kalimin e minutave, Napoli rrit lojën e tij, ndërsa në pjesën e dytë është gjithnjë pranë zonës së Donarumës, por pa arritur ta kërcënojë seriozisht portierin kuqezi. Megjithatë, portieri i Milanit do të bëhet protagonist në fund të takimit, kur i heq Milikut një gol thuajse të bërë dhe që e bën edhe më të vështirë rikuperimin e napolitanëve ndaj Juventusit, në prag të takimit të drejtpërdrejtë fundjavën e ardhshme, që do të luhet në Torino.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *