Një surprizë i ishte rezervuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” kantautorit Alban Skënderaj.
Arbana Osmani kishte ftuar artistin Çun Lajçi, i cili interpretoi një poezi të shkruar nga i ati i Albanit në vitin 1997. Në atë kohë, Albani ishte larguar për në Itali dhe familja e tij nuk kishte marrë asnjë lajm nga ai për më shumë se një muaj.
“Unë jam natyrë që emocionoj dhe emocionohem shpejt. Fatkeqësisht jam në luftë të vazhdueshme me emocionet që të mos më rrëmbejnë. Më ktheve pas në kohë dhe më rrëmbeve me interpretimin tënd. Këtë poezi e ka shkruar babai im, kur unë u nisa për në Itali dhe kisha më shumë se një muaj pa folur me ata”, – është shprehur Alban Skënderaj, i cili u shpreh se i mbeti një lëmsh në grykë.
Çun Lajçi i uroi Alban Skënderajt që atë ankth që kishte përjetuar babai i tij të mos e përjetonte ai vetë.
“Shpresoj që ti të bësh çmos që fëmija yt të mos lëvizë nga vendi. Kemi bredhur në shumë vende, por nëse ne jemi ata që e duam Shqipërinë nuk mjafton vetëm fjala. Mjafton bima dhe këto lule që ta zbukurojnë dhe të kemi vërtet një Shqipëri që del nga ato këngë dhe poezi që kemi”.
Ja poezia e shkruar nga babai i Alban Skënderajt për të birin.
Tri javë pa sy,
Tri javë pa fjalë,
Unë dhe ime shoqe,
Dy të vdekur, gjallë.
Buzët…kapak burgu
Sytë, hije muzgu.
Kthejm’ kryet, shikojm’ nga deti,
Lëkundje, tërmeti
I kthejmë nga qielli, asnjë rreze dielli
Si statuja, ngrirë,
Me zemër të mpirë,
Shikojmë në errësirë.
Deti nxjerr të vdekur,
Ne presim të mekur,
Ne presim një lajm, një lajm për tim bir
Rrëmbyer nga ikja që s’pati mëshirë
Lutemi Zotit, qoftë lajm i mirë!