Konflikti me Llallën/ Donald Lu dhe Alfred Peza si çirakët e Edi Ramës

Nga Boldnews.al

Debati i ashpër ndërmjet ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, është rikthyer në qendër të vëmendjes, në një kohë kur situata e vështirë ekonomike dhe integrimi në Bashkimin Europian kanë krijuar kokëçarje të mëdha për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij.

Përplasja e radhës Llalla-Lu, e rikthyer tashmë në një telenovelë me seri, i dha sinjalet e saj rreth dy muaj më parë. Adriatik Llalla, i cili u largua në dhjetor 2017 nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, vendosi të hiqte dorë nga e drejta e tij për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit. Në Shkurt 2018, ai njoftoi Komisionin e Vetingut për largimin nga sistemi i drejtësisë. Në përgjigje, Komisioni i Vetingut vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit ndaj Llallës.

Në këtë moment rikthehen sulmet e ambasadorit Lu ndaj ish-kreut të Akuzës. Donald Lu u shpreh se largimi nga Vetingu nuk shmang përgjegjësitë e mundshme penale, duke shënuar preludin e asaj që u zhvillua më vonë.

Pak ditë pas dorëheqjes së Llallës nga e drejta për emërimin si gjyqtar, një portal nisi të publikonte dokumenta konfidenciale, të cilat ishin dorëzuar nga vetë ish-kryeprokurori pranë Komisionit të Vetingut. Është lehtësisht e kuptueshme që dokumentat i janë dhënë “me porosi” këtij portali, i cili ndërmorri një sulm ndaj Llallës, për shkak se administratori i tij kishte një “hak” për të marrë.

Ai portal administrohet nga Alfred Peza, ish-deputet i Partisë Socialiste, aktualisht në gjykim pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, si i akuzuar për “pastrim parash” në vlerën e rreth 1 milion dollarëve. Hetimi ndaj ish-deputetit, të konvertuar më pas në administrator portali, është zhvilluar në kohën kur Llalla ishte Prokuror i Përgjithshëm.

Ajo që u zbulua më pas, krijon dyshimet se e gjitha ka qenë një skemë e paramenduar për të goditur ashpër Llallën. Këtu hyn në lojë edhe institucioni i Prokurorisë.

Publikimet në këtë portal “nxitën” Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshmë, Arta Marku, që të urdhërojë Prokurorinë e Durrësit të nisë hetimet ndaj paraardhësit të saj, me justifikimin e “indicjes në bazë të të dhënave të medias”.

Pra, Komisioni i Vetingut, i cili i kishte të gjitha mundësitë të verifikonte pasurinë e Llallës dhe, nëse konstatonte probleme mund ta referonte në Prokurori, gjeti një rrugë aspak etike. Komisioni i Vetingut bashkëpunoi me portalin e të akuzuarit për pastrim parash për të publikuar të dhëna zyrtare, të dorëzuara nga vetë Adriatik Llalla. Këto ‘dyshime mediatike” i “shërbyen” më pas Prokurorisë për të nisur hetim.

Këto zhvillime në aspektin penal ndihmuan edhe ambasadorin Lu që t’i rikthehej temës së tij të preferuar-goditjes ndaj Adriatik Llallës. Në një intervistë për “Opinion”, Donald Lu merr një kohë të mirë nga përgjigjet e tij për të etiketuar ish-kryeprokurorin si të korruptuar dhe që mund të kishte pasoja të rënda penale.

Adriatik Llalla vendosi të mos reagojë. Por, një letër e tij, dërguar Kongresit Amerikan rreth një vit më parë, e publikuar së fundmi, e riktheu në debatin publik. Në atë letër, Llalla, ndër të tjera, përmendte faktin që ambasadori Lu, në vitin 2015, i kishte kërkuar arrestimin e ish-kryetarit të Kuvendit, aktualisht Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Publikimi i kësaj letre në faqen zyrtare të internetit të Kongresit Amerikan duket se e ka gjetur të papërgatitur ambasadorin Lu. Pak orë pas publikimit të letrës, ai reagoi ashpër, përtej petkut diplomatik, duke e konsideruar Adriatik Llallën të korruptuar dhe duke i përmendur burgosjen.

Por nuk përfundoi këtu. “Boldnews.al” ka raportuar për disa lëvizje të nxituara të ambasadorit Lu. Fillimisht ai, nën shoqërinë e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtorit të Policisë, Ard Veliu, zhvilluan një takim të enjten në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Temë diskutimi mendohet të ketë qenë rasti “Llalla”, për faktin se dihet publikisht q ëish-kryeprokurori e ndan kohën e tij ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku gjendet edhe familja e tij prej mëse dy vitesh.

Në po të njëjtën ditë, në mbrëmje vonë, ambasadori Lu ka qenë në zyrën e Kryeministrit, ku ka qenë e pranishme edhe Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë takim, por duket qartë se temë kryesore ka qenë sërish Adriatik Llalla.

Pas këtyre takimeve, në media, kryesisht të majta, po shpërndahet informacioni se janë gati prangat për Adriatik Llallën. Atij, gjithnjë sipas “burimeve” i atribuohen 4 vepra penale, por askush nuk thotë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht. Madje, edhe vetë Adriatik Llalla ende nuk është në dijeni nëse ndaj tij ka një hetim të nisur apo jo. Në një reagim të fundit publik, pasi u konsideruar si i korruptuar nga ambasadori Lu, Llalla u shpreh se “për mua është e vështirë të kuptoj se si një ambasador i huaj të ketë dijeni për një hetim të supozuar nga autoritetet e vendit pritës…”

Është e qartë që Adriatik Llalla nuk ka asnjë dijeni për një hetim zyrtar ndaj tij. Ndërkohë, me nxitjen e ambasadorit Lu, duket se ndaj tij po përgatiten prangat, pa i thënë më parë që ka hetim dhe, aq më tepër, që të pyesin për versionin e tij të situatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *