Duhet ndaluar urgjentishtë/ Skandali i reklamës diskriminuese e klinikës “Hygeia”

April 15, 20180
auto_FOTO11509698510-680x365_c.png?fit=680%2C365

Çdo kompani bën reklamën e produkteve ose shërbimeve për tua prezantuar klientëve dhe për ti tërhequr ata. Por ndonjëherë një reklam që e quajnë cilësore dhe transmeton një mesazh të caktuar, nuk është aspak ashtu.

Përveç se shumë prej tyre janë diss informuese kemi të bëjmë edhe me reklama diskriminuese, e tillë siç është reklama e fundit i spitalit privat në Tiranë “Hygeia”.

“Hygeia” në reklamën e saj kërkon të japë mesazhin: “që nishanet duhet të hiqen për të parandaluar kancerin e lëkurës e të bëhet ekzaminimi i tyre”, por realizimi i reklamës nuk është aspak një ide  e mirë.  Nëpërmjet pamjeve ajo ka dhënë mesazhin e gabuar i cili është: “Në qoftë se ke një nishan të madh nuk dukesh estetikisht bukur”.

Në këtë reklamë transmetohet: Në një stacion autobusi një vajzë me nishan në faqe sheh një djalë, por ai sapo sheh këtë shenjë i vjen neveri prej saj e largohet. Pasi mërzitet vajza shikon posterin e spitalit “Hygeia” dhe shkon për të hequr nishanin. Pasi e heq ajo djali i buzëqesh duke i dhënë pëlqimin e tij.

Skandaloze! Kjo reklamë nuk flet për rrezikun  e kancerit të lëkurës dhe për të ekzaminuar nishanet por flet për anën estetike të tyre. Është e tmerrshme sepse njeriu e zgjedh vet në qoftë se do ta mbajë një nishan apo ta heqë, përveç rasteve kur këshillohet nga mjeku heqja e tyre.

Njerëzit kanë shenja të ndryshme në trupat e tyre, duke filluar që nga nishanet e deri tek shenjat e shkaktuara aksidentalisht. Kjo reklamë jo vetëm që i diskriminon ata por mund tu shkaktojë një dëm të madh psikologjik.

Nuk ka njeri perfekt, por nishanet e shenjat nuk janë diçka që të mund ti ndalojnë ata të pranohen dhe të jenë të pëlqyer në shoqëri. Në pamjet që shfaqen në këtë reklamë nuk flitet aspak për dëmet që shkaktojnë nishanet por tregohet faktori paragjykues. Njerëzit me shenja nuk trajtohen si të tjerët por shihen ndryshe. “Hygeia që shihet si një ndër klinikat më prestigjoze në vend nuk mund të bëjë një gabim të tillë, i cili për vetë ata do të rezultojë fatal.

Kur bën një reklamë duhet të shohësh dy anë: të japësh mesazhin dhe të përshtatësh pamjet me mesazhin.

Reklama nuk përputhet aspak me mesazhin që kjo klinikë kërkon të japë sepse nëpërmjet pamjeve ajo nuk flet për kancerin e lëkurës “Melanomën” por është thjesht një spot paragjykues e diskriminues!/Blitz.al/