Peshëngritësi Briken Calja i është rikthyer përgatitjeve pas disa ditësh pushim, pas suksesit historik në Kampionatin Evropian zhvilluar në Rumani, ku ai u shpall kampion i trefishtë. 28-vjeçari ka shkuar për herë të parë në palestrën ku stërvitet zakonisht për të nisur përgatitjet për kompeticionin e radhës. Kampioni i trefishtë i Evropës në peshën 69kg, ka publikuar një video, në të cilën tregon kushtet e mjerueshme ku ai është stërvitur dhe sigurisht do të vazhdojë të stërvitet. Në videon e tij duket qartë se ambienti nuk plotëson asnjë nga kushtet më minimale, e megjithatë pavarësisht mungesës së theksuar të vëmendjes nga shteti shqiptar apo FSHP, falë vullnetit dhe punës së palodhur Calja ia doli të shpallej kampion në Rumani.
Këto suksese dhe medalje janë vetëm meritë personale e sportistëve, pasi stërviten në kushte të mjerueshme dhe sërish garojnë si të barabartë në kompeticionet evropiane, ndryshe nga kolegët e tyre që kanë jo vetëm kushte të shkëlqyera, por edhe mbështetje të madhe financiare.
Pak ditë më parë ish-atletja Klodiana Shala e ftuar në një emicion televiz i bëri thirrje të gjithë sportistëve profesionistë të largohen nga Shqipëria nëse duan të shpëtojnë karrierën e tyre dhe të bëhen dikush. Calja që vari në qafë 3 medalje të arta në Europianin e shtangës të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, duket se sërish do të vuajë mungesën e kushteve nëse pushteti lokal nuk vë dorë, ose FSHP. Përveç ambienteve që nuk plotësojnë as kushtet më minimale, peshëngritësit shqiptarë nuk kanë as një fizioterapist, t’i kontrollojë kur kanë kontraktime apo bllokim në muskuj.
Briken Calja fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes, duke ngritur 146kg dhe në shtytje fitoi të artën, ku ngriti 175kg dhe e mbylli me 321kg në dygarësh. Pas paraqitjes së shkëlqyer në stilin e shkëputjes, ku i realizoi me sukses të trija provat, shtangisti nga Shtërmeni nuk zhgënjeu as në stilin e shtytjes. Calja e nisi garën me 171kg, dhe e realizoi me sukses provën e parë. Në të dytën dështoi të ngrejë 175kg, peshë të cilën e realizon me sukses në provën e tretë, duke siguruar kështu medaljen e artë edhe në këtë stil. Në dygarësh, Calja doli sërish i pari, me 321kg në total, duke fituar kështu 3 medalje të arta në Europian, duke qenë absolut në peshën 69kg.