Rimarrja e titullit, presidenti i Skënderbeut: Titujt nuk fitohen me VKM

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i ka rikthyer Skënderbeut trofeun e sezonit 2015-2016, i cili i qe hequr nga Komisioni i Etikës së Federatës Shqiptare të Futbollit, bazuar në raportet e UEFA-s.

Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, tregon sesi është pritur ky lajm nga skuadra e tij, e cila po kalon një periudhë të vështirë momentalisht.

“Ishte një mëngjes shumë i bukur, ishte një vendim që ne e prisnim normalisht, sepse ishim të bindur në çfarë kërkonim kur iu drejtuam CAS-it. Ishte një titull me pa të drejtë i mohuar nga vendimi i Etikës. Kundërshtarët duhet të jenë të bindur, sepse titujt e kampionateve merren në fushat e lojës, nuk mund të merren as me VKM apo me Komisione Disipline”, tha presidenti Ardian Takaj për Top Channel.

Megjithatë, Skënderbeu mbetet në një tjetër proces gjyqësor, këtë herë jo me FSHF-në, por me qeverinë europiane të futbollit, UEFA-n, që sipas Takajt edhe atë do ta fitojnë, pasi po dënohen vetëm në bazë dyshimesh.

“Nuk na intereson fare ulja e dënimit. Duhet ose falje, ose dënim! Këtë presim ne, e nuk na intereson asnjë vit ulje. Edhe një vit dënim do të ishte tepër për Skënderbeun. Ne jemi këtu me merita të plota sportive, sepse nëse qëndrojmë në kuadrin e dyshimeve mund të akuzojmë të gjitha ekipet e botës. E patë se ç’është bërë këtë javë. U mposht Barcelona 3-0 nga Roma, e jo mos rrihet Skënderbeu 5-1 nga Sportingu, edhe në inferioritet numerik. Ky nuk është ndonjë lajm i madh, as ndonjë çudi europiane, që të shkruhet sesi ka mundësi Skënderbeu të mundet nga Sportingu”, theksoi më tej Takaj.

Presidenti i klubit korçar përcolli edhe një mesazh për të gjitha klubet shqiptare, që pretendojnë të përfitojnë nga ky moment i vështirë i Skënderbeut.

“Po të shikosh arritjet e Skënderbeut, kanë rritur edhe koefiçentin e kampionatit shqiptar, duke lënë pas Hungarinë e shumë vende më të zhvilluara sesa ne në futboll. Këto janë në bazë të arritjeve të Skënderbeut. Këta kundërshtarët tanë duhet të dinë që për këto 3 vite, prej Skënderbeut kanë marrë nga 100 mijë euro në arkat e tyre. Të paktën ndonjë ditë, ndonjëri prej tyre të ketë kurajon t’i thotë faleminderit Skënderbeut.”

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *