E plotë/ Negociatat me BE, arsyet përse qeveria “Rama” mbetet në klasë

Nga Boldnews.al

I gjithë faktori politik shqiptar shpreson që Komisioni Europian të sugjerojë hapjen e negociatave me Shqipërinë për herë të tretë në 5 vitet e fundit. Në vitin 2013 dhe 2016, Këshilli Europian, struktura më e lartë vendimmarrëse të BE, nuk pranoi sugjerimin e Komisionit Europian, pasi vlerësoi se Shqipëria duhet të përmbushë 5 prioritetet kyçe.

Në 17 Prill, Komisioni Europian do të prezantojë sërish sugjerimin e tij, por qeveria shqiptare, përgjegjëse kryesore për avancimin me negociatat, ka bërë shumë pak hapa pozitivë, madje është shënuar edhe regres në përmbushjen e detyrave të saj të shtëpisë.

Prioriteti i parë i Bashkimit Europian është avancimi i reformës në administratën publike. Publiku shqiptar është dëshmitar se si, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, Partia Socialiste si fituese, ndërmori një fushatë spastrimi të gjerë në administratën publike, me justifikimin se po largonte “nga tepsia” pjesën e korruptuar dhe të paaftë të saj. Në fakt, gjithçka ishte thjeshtë dhe vetëm një spastrim i administratës për të punuar militantët socialistë. Kjo provohet nga fakti se shumë prej të larguarve nga puna kanë fituar të drejtën në procese gjyqësore. Gjithashtu, shumë rrallë, ish-zyrtarë të administratës publike janë kallëzuar për ndjekje penale, për shkaqe që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Pra, kriteri i parë jo vetëm që nuk ka avancuar, por, përkundrazi, është shkelur në favor të punësimit militant.

Prioriteti i dytë i Bashkimit Europian është forcimi i pavarësisë së gjyqësorit. “Boldneës.al” ka raportuar shpesh me fakte se, Reforma në Drejtësi i ka siguruar qeverisë një akses më të madh në sistemin e drejtësisë. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh vetëm me votat e maxhorancës, duke “minuar rëndë besueshmërinë e këtij institucioni”, sipas raportit më të fundit të Freedom House. Gjithashtu, investigimi i grupit amerikan “Judical Ëatch” zbuloi se Reforma në Drejtësi është hartuar në mënyrë të tillë, që t’i japë më shumë pushtet kryeministrit Edi Rama. Prioriteti i dytë dhe ndoshta më i rëndësishmi në këtë moment, rezulton i realizuar në mënyrë skarco.

Prioriteti i tretë i Bashkimit Europian është vendosmëria në luftën kundër korrupsionit. Edhe ky prioritet shfaqet problematik. Sërish, duke iu referuar raportit të “Freedom House”, ecuria e luftës kundër korrupsionit “u godit rëndë për shkak se Parlamenti refuzoi arrestimin e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri”. Raporti i “Freedom House” shërben si një barometër i besueshëm për vendimmarrjen e institucioneve ndërkombëtare. Nga ana tjetër, të vetmet “goditje” që mund të shënohen në drejtim të luftës kundër korrupsionit janë arrestimet e disa ish-zyrtarëve të Autoritetit Rrugor. Kjo është shumë pak, krahasuar me perceptimin publik, por edhe raportet ndërkombëtare, të cilët vlerësojnë se korrupsioni është kapilar në të gjithë hallkat e administratës shtetërore.

Prioriteti i katërt i Bashkimit Europian është përpjekja e vazhdueshme në luftën kundër krimit të organizuar. Në kuadër të këtij prioriteti, qeveria lançoi operacionin “Forca e ligjit”, i cili, deri më tani, ka bërë disa goditje sporadike policore, të cilat ishin të realizueshme edhe në mungesë të këtij projekti. Ka një përmirësim të ndjeshëm në uljen e kultivimit të kanabis sattiva, krahasuar me periudhën 2015-2016. Por, ka një rritje të ndjeshme të trafikut të drogave të forta. Dëshmi konkrete është kapja, në Shkurt 2018, të sasisë rekord prej 613 kg kokainë në Portin e Durrësit, me origjinë nga Kolumbia. Për ekspertët e sigurisë, mbërritja e kësaj sasie në Shqipëri, dëshmon se vendi ynë tashmë është kthyer në një nyje të rëndësishme të kalimit të drogave të forta nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë, drejt tregut të Bashkimit Europian. Edhe sa i përket rastit konkret, autoritetet shqiptare janë kufizuar vetëm në arrestimin e disa personave të cilët, edhe nëse janë pjesë e grupit, kanë një rol fare periferik. Deri më tani, nuk është zbuluar dhe as arrestuar asnjë prej organizatorëve.

Prioriteti i pestë i Bashkimit Europian është forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut. Në këtë pikë janë shënuar regreset më të mëdha. BE kërkon nga Shqipëria që të përfundojë procesin e kalimit të tokës tek pronarët e ligjshëm. Por, përkundër kësaj direktive, qeveria e Edi Ramës ka ndërmarrë disa masa të dëmshme për interesat e ligjshme të personave. Në Dhjetor 2017, Edi Rama i dërgoi një kërkesë “lutëse” Gjykatës së Strasburgut që të pezullonte shqyrtimin gjyqësor të ankesave që shtetasit shqiptarë i kanë dërguar kësaj gjykate për çështjen e pronave. Kryeministri argumenton se qeveria nuk ka mundësi të paguajë dëmshpërblimin për qytetarët që nuk marrin dot pronën. Pra, me këtë kërkesë, qeveria në mënyrë indirekte synon të cënojë një prej të drejtave themelore të njeriut, të drejtën e pronës.

Po në këtë frymë, qeveria miratoi një Vendim në Mars 2018 për të pezulluar për një afat të pacaktuar procesin e njohjes së pronave në zonën e bregdetit. Ky proces, i cili duket se ka edhe doza korrupsioni brenda, cënon në mënyrë të drejtëpërdrejtë interesat e pronarëve të ligjshëm, të cilët presin verdiktin e institucioneve shtetërore dhe gjyqësore për të marrë në dorëzim pronësinë.

Një tjetër shkelje flagrante e të drejtave të njeriut është arrestimi i 23 protestuesve, të cilët, për shkak të varfërisë së tyre, kundërshtuan vendosjen e një tarife në Rrugën e Kombit, të papërballueshme për të ardhurat e tyre. Aktualisht, 11 prej tyre janë në paraburgim, ndërkohë që Policia ka nisur procedimin penal edhe për drejtuesit më të lartë të opozitës, të cilët iu bashkuan protestave vijuese të qytetarëve.

Siç u përmend që në fillim, faktori politik shqiptar shpreson në hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Këndvështrimet e tyre për këtë zhvillim janë të ndryshme. Qeveria synon ta hipotekojë këtë zhvillim si fitore të reformave të saj. Opozita, nga ana e saj, shpreson që avancimi me proceset integruese mund të shërbejë si mjet për të frenuar arrogancën e qeverisë socialiste të udhëhequr nga Edi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *