Reforma “Rama” / Si u fut në kolaps sistemi i drejtësisë

Nga Boldnews.al

Raporti më i fundit i Freedom House lëshoi sinjalin se Shqipëria po anon drejt autoritarizmit qeverisës. Në fakt, ky konstatim i shoqatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, është i dukshëm në realitetin shqiptar.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i bllokuar, duke përkeqësuar ndjeshëm nivelin e demokracisë, për shkak se një prej tre shtyllave të shtetit nuk po funksionon normalisht si rrjedhojë e parashikimeve jo të duhura të Reformës në Drejtësi.

Aktualisht, në vendin tonë, po funksionojnë vetëm dy shtyllat e tjera, pushteti Legjislativ dhe Ekzekutiv, por me handikapin që të dyja janë në duart e një njeriu- Edi Ramës, kryeministër dhe kryetar i maxhorancës socialiste në Parlament.

Reforma në Drejtësi nisi aplikimin e saj me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, të votuara me unanimitet të plotë në Parlament. Por, zbërthimi i Kushtetutës në ligjet që mundësojnë krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, si edhe të pastrimit të gjyqësorit nga korrupsioni dhe paaftësia, rezulton një dështim spektakolar. Faktet janë të shumta dhe përgjegjësia është e maxhorancës socialiste, e cila miratoi e vetme ligjet e reja dhe njerëzit që do të zbatonin ato.

Të gjithë institucionet e reja janë në varësi të një aspekti thelbësor të Reformës në Drejtësi, procesit të Vetingut. Drejtuesit e sistemit të drejtësisë duhet të marrin aprovimin e Komisionit të Vetingut para se të nisin detyrën. Edhe ata që janë në detyrë aktualisht, duhet të konfirmohen nga procesi i Vetingut.

Por, këtu është kleçka bllokuese, e cila, për shumë analistë dhe opozitën, është imponuar nga maxhoranca socialiste për të mos avancuar me reformimin e drejtësisë. Për këta kritikë, qëllimi duket qartë- qeveria e Edi Ramës kërkon të ketë kontrollin mbi pushtetin gjyqësor, nëpërmjet mekanizmave dhe mjeteve bllokuese dhe zvarritëse të procesit të Vetingut.

– Sot është krijuar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetingut) dhe Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit. Trupa quasi-gjyqësore përbëhet nga individë me biografi profesionale jo më të mirën e mundshme, të cilët, thuajse në shumicën absolute, janë njerëz që janë të lidhur ose të investuar nga Partia Socialiste në pushtet.
Komisioni i Vetingut ka nisur aktivitetin e tij në Tetor 2017. Por, 6 muaj pas nisjes së procesit, deri më tani kanë dalë në konkluzione vetëm për 3 gjyqtarë, dy prej të cilëve u shkarkuan nga shkalla e parë dhe një tjetër u konfirmua në detyrë.
Komisioni i Vetingut, në bazë të ligjit, ka një listë prioritare gjyqtarësh për të kaluar në kontroll, në total rreth 60 persona. Këta janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Përgjithshme, kandidatët për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit e Lartë të Prokurorisë. Mungesa e këtyre institucioneve ose në disa raste bllokimi i tyre, ka krijuar kolaps në sistemin e drejtësisë.

– Gjykata Kushtetuese aktualisht është thuajse inekzistente, për shkak se në detyrë janë 5 nga 9 anëtarë. Numri 5 është jo vetëm minimumi i kërkuar për krijimin e kuorumit të nevojshëm, por edhe numri i nevojshëm që kjo Gjykatë të marrë vendime. Në fazën aktuale, një kërkesë drejtuar kësaj gjykate, sado e drejtë, mund të rrëzohet edhe nëse 1 prej gjyqtarëve voton kundër dhe 4 të tjerët pro. Pra, respektimi i të drejtave të njeriut në këtë gjykatë janë në ditën më të vështirë. Gjykata Kushtetuese është në mungesë të anëtarëve, për shkak se gjyqtarët e rinj të saj, duhet të propozohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe më pas të kalojnë Vetingun.

– Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, struktura përgjegjëse për propozimin e gjyqtarëve kushtetues nuk është krijuar, për shkak se kandidatët për këtë institucion ende nuk kanë kaluar procesin e Vetingut.

– Gjykata e Lartë është një tjetër institucion i rëndësishëm i drejtësisë në fazën e bllokimit thuajse të plotë. Ajo sot funksionon me 9 nga 19 anëtarë që duhet të ketë sipas ligjit. Trupat gjykuese aktualisht funksionojnë në minimumin e tyre historik, ku mund të krijohen vetëm nga një kolegj penal, civil dhe administrativ.
Nëse ndodh që një prej gjyqtarëve të këtyre kolegjeve ka konflikt interesi apo e ka shqyrtuar një çështje më parë në shkallët më të ulta të gjyqësorit, atëherë rekurset e palëve nuk mund të shqyrtohen. Pra, automatikisht, numri i çështje që mund të merren në shqyrtim në këtë Gjykatë është shumë i ulët, duke cënuar të drejtën për ankim.
Anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë duhet të propozohen nga një strukturë e re e Reformës në Drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili gjithashtu nuk është krijuar për shkak të vonesës në procesin e Vetingut.

– Këshilli i Lartë Gjyqësor, struktura që është përgjegjëse për karrierën e gjyqtarëve, është në pritje të anëtarëve gjyqtarë, pasi anëtarët jo-gjyqtarë të tij janë emëruar automatikisht nga Parlamenti, për shkak se emrat e tyre nuk morën dakordësinë e nevojshme pozitë-opozitë. Personat e zgjedhur deri më tani janë emra që kanë mbështetjen e maxhorancës, duke vënë pikëpyetje të mëdha mbi paanshmërinë dhe besueshmërinë e tyre.

– Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), një tjetër strukturë shumë e rëndësishme në kuadër të Reformës në Drejtësi, është e bllokuar për shkak të vonesës në procesin e Vetingut. KLP është përgjegjës për karrierën e prokurorëve, por edhe për propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe për prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, i zgjedhur pa respektuar procedurën kushtetuese, dukshëm rezulton se është një person që po zbaton “direktivat” politike të maxhorancës. Në fokusin e prokurorisë, që prej zgjedhjes së Kryeprokurores së Përkohshme, janë vetëm eksponentë nga opozita.

Por, vonesa në krijimin e SPAK duket se është ‘thembra e Akilit” për vonesën e zbatimit të Reformës në Drejtësi. SPAK do të ketë si objekt të punës së saj hetimin e korrupsionit në nivele të larta, si edhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Maxhoranca aktuale është shumë e ekspozuar në raste korrupsioni, si edhe për lidhjet me grupe kriminale, kryesisht të narkotrafikut. Për këtë arsye, duket se Edi Rama dhe qeveria e tij e kanë shumë të nevojshme që Reforma në Drejtësi të duket se po zbatohet, si detyrim ndaj partnerëve ndërkombëtar, por ajo të mos realizohet, për të ruajtur veten, qeverinë dhe njerëzit e tij të afërt, të dyshuar si të përfshirë në vepra korruptive apo narko-trafiku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *