Maturantët para 2018-ës nisin plotësimin e formularit A1Z

April 13, 20180
formu.jpg?fit=770%2C433

Ditën e djeshme ka nisur plotësimi i formularit A1Z nga të gjithë maturantët që kanë përfunduar studimet e shkollës së mesme para vitit 2018-të. Sipas kalendarit të publikuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, sot do të bëhet aplikimi në qarkun e Tiranës, Dibër, Vlorë, Gjirokastër, Peqin, Gramsh, Librazhd, Sarandë, Skrapar e Përmet. Ndërsa në datën 16 prill do të kenë mundësi të plotësojnë formularin A1Z maturantët e vjetër në qytetet e Elbasanit, Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit, Beratit, Kuçovës, Kurbinit, Kukësit, Matit si dhe Delvinës.

Gazeta Shqiptare publikon sot kalendarin për maturantët para 2018-ës, me datat përkatëse sipas qyteteve në mbarë vendin. Ndërkohë, QSHA-ja bën me dije se formulari A1Z mund të plotësohet nga kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018 dhe që kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të Maturës Shtetërore; si dhe nga kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018 dhe që nuk kanë detyrime të Maturës Shtetërore. Gjithashtu, edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe, pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës, rezultojnë se kanë ose nuk kanë detyrime të Maturës Shtetërore kanë të drejtë të plotësojnë formularin A1Z. Plotësimi online i Formularit A1Z bëhet në shkollat ku kandidatët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur. Për të plotësuar formularin A1Z, kandidatët duhet të paraqesin tek mbikëqyrësi një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë apo vërtetimin, me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi si dhe certifikatën e maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit. “Edhe procesi i plotësimit të Formularit A1Z do të ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”,-thuhet në njoftimin e firmosur nga drejtoresha e QSHA-së, Rezana Vrapi. Deri në 20 prill 2018, Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore dhe Komisioni i Maturës Shtetërore pranë drejtorive apo zyrave arsimore do të plotësojnë online bazën e të dhënave me fushat përkatëse, sipas udhëzuesit të dërguar nga QShA-ja. Në të gjitha ato raste kur të dhënat mund të mund të kenë gabime, maturantët kanë mundësinë që të dërgojnë vërejtjet e tyre për pasaktësitë e deri në 30 prill 2018-të bëhen të gjitha korrigjimet e nevojshme në sistem.

Testimi
Maturanti paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Në momentin e paraqitjes në mjediset e provimit, duhet të ketë dokumentin e identifikimit dhe mjetet e nevojshme, si: laps, vizore, kompas, makinë të thjeshtë llogaritëse. Maturantët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon AP-ja. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit, para kohës së përfundimit të provimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *