Banka e Shqipërisë: Shqiptarë pesimist, nuk kanë besim te ekonomia e vendit

Bie besimi i shqiptarëve te ekonomia e vendit. Banka e Shqipërisë ka publikuar Vrojtimin e Ndjesisë Ekonomike për tremujorin e parë të këtij viti, ku konstaton përkeqësim për të dytin tremujor radhazi, me 1.6 për qind.

Rënia e besimit për konsumatorët është ndikuar nga ulja e pritshmëreve për realizimin e blerjeve të mëdha, ku bëjnë pjesë elektorshtëpiaket dhe situata e të ardhurave, e cila vlerësohet më e ulët krahasuar kjo me shpenzimet.

E thënë ndryshe, familjet shqiptare po e humbasin shpresën për një përmirësim të gjendjes ekonomike të tyre.

Rënie të besimit për të ardhmen ka pësuar edhe sektori i ndërtimit fakt ky që bie ndesh me ecurinë e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo situatë është ndikuar prej kontratave porositëse, pritshmërie financiare për muajt në vijim si dhe mundësive për punësim.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit vijoi të bjerë gjatë tremujorit të parë, duke rezultuar 1.4 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm.

Rritje të besimit për situatën ekonomike në vend kanë pasur sektori i shërbimeve,tregtisë dhe industrisë.

Në sektorin e shërbimeve pavarësisht se pritshmëritë ishin pozitive për shkak të kërkesës me përkeqësim kanë qenë gjendja financiare, dhe punësimi për tre muajt e ardhshëm.

Vrojtimi i Ndjesisë Ekonomike që publikohet nga Banka e Shqipërisë është një dokument i rëndësishëm, pasi hedh dritë mbi perceptimin që kanë konsumatorët dhe bizneset në sektorët kryesorë për gjendjen e tyre ekonomiko-financiare dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Në teori dhe në praktikë, ekonomia ndikohet pozitivisht nga besimi, pasi nxit konsumin dhe investimet. E kundërta, ndodh kur besimi bie. Ka efekt negativ, pasi i bën agjentët ekonomikë të pasigurtë dhe i shtyn drejt kursimit, çka përkthehet me më pak para në qarkullim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *