Betonizimi i Tiranës/ Lali Eri, dhuratë oligarkut Salillarit fushën e sportit në Laprakë

Nga Boldnews.al

Erion Veliaj, njeriu që propagandon veten si i dashuar me natyrën dhe fëmijët, po bën gjithçka që Tirana të shndërrohet në beton, duke mos kursyer parqet publike dhe fushat sportive, në favor të oligarkëve.

Krahas kullave që do të zaptojnë hapësirën në qendër të Tiranës, me firmën e Lali Erit po zaptohet çdo hapësirë e mundshme publike në zonën e Unazës së Tiranës. E fundit në radhë, të paktën nga ato që i kanë shpëtuar izolimit të informacionit nga Bashkia e Tiranës, është fusha sportive në “Laprakë”, e cila është parashikuar të kthehet në kompleks pallatesh.

Leja për këtë betonizim të radhës në Tiranë i është oligarkut Pëllumb Salillari, njeriut që drejton “Salillari shpk”, i cili është bashkë-përfitues me Shefqet Kastratin në taksën e Rrugës së Kombit.

Rreth dy vjet më parë, Veliaj, nëpërmjet lajmeve të tij të parafabrikuara, fliste për nismat e Bashkisë së Tiranës për shtimin e këndeve sportive në zonën e Laprakës. Në atë kronikë lajmesh, e shpërndarë në të gjitha mediat, Veliaj thoshte se “Lapraka do të jetë pjesë e poliqendrave të Tiranës, do të jetë një qendër më vete. Por që të jetë e tillë, këtu nuk mund të ketë vetëm banka dhe institucione për të rriturit, por edhe terrene sportive e lodra për fëmijët, si dhe mjedise çlodhëse për të moshuarit…”.

E gjithë ky prezantim butaforik u bë për një kënd sportiv rreth 50 m2, i cili, pak muaj pasi u ndërtua, tashmë është i degraduar plotësisht. Por, vetëm pak metra nga kjo fushë e re, tashmë e prishur, është një fushë sportive futbolli, e cila u ka shërbyer të rinjve të Laprakës për dekada që të stërviten dhe të luajnë në kohën e tyre të lirë.

Por, me një firmë të nëntorit 2017, Erion Veliajt ka vendosur të hedhë në erë historinë sportive të Laprakës. Denoncimi fillestar për këtë shkatërrim të terrenit sportiv është bërë nga një grup banorësh të zonës, të cilët kanë hapur një llogari në rrjetin social. Më pas, shqetësimi i tyre është adresuar në mënyrë zyrtare në Bashkinë e Tiranës nga deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari.

Në bazë të dokumentave, të cilët po publikohen edhe në vijim të këtij shkrimi, territori i fushës së Laprakës, 5388 m2, u është njohur si pronësi e fituar nga trashëgimia disa personave, në vitin 2014.

Më pas, në vitin 2017, gjithnjë sipas dokumentave të Hipotekës, kjo pronë është kufizuar, në bazë të një kontrate sipërmarrje nga “Salillari.shpk”, për ndërtim mbi këtë truall, me nr. dok. 15427 dhe kontratë sipërmarrjeje nr. 3050/651, datë 23/10/2017.

Në bazë të këtij shënimi në kartelën e pasurisë, kuptohet qartësisht se firma sipërmarrëse “Salillari” ka arritur të marrë lejen e ndërtimit nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Tashmë, duket qartë se pritet vetëm ndërhyrja e fadromave të kompanisë për të shkatërruar terrenin sportiv.

Por, kjo ndërhyrje, nëse realizohet, është në shkelje të plotë të legjislacionit në fuqi. Pavarësisht se terreni sportiv u është njohur trashëgimtarëve, ai nuk mund të tjetërsohet, për shkak të ndalimeve që janë parashikuar në ligjin nr.79/2017, “Për Sportet”. Në nenin 34 të këtij ligjit, sanksionohet shprehimisht: “Destinacioni i objekteve sportive nuk mund të ndryshojë, pavarësisht nga pronësia, subjekti administrues apo dhënia me koncesion”.

Por, pavarësisht ndalimeve taksative në ligj, Erion Veliaj nuk e ka pasur aspak problem të shkelë detyrimet dhe të nënshkruajë lejen për një kompleks pallatesh, në favor të oligarkut Salillari.

Historia e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës është karakterizuar nga ndërtime masive në qendër dhe pranë qendrës së kryeqytetit, përkundër premtimeve të tij elektorale për shtimin e hapësirave të gjelbërta. Për më tepër, përfituesit e lejeve të ndërtimit kane qenë gjithnjë një dorë e vogël biznesmenësh, të njohur si “oligarkët e Edi Ramës”, biznesmenët që po ndajnë dhe po përfitojnë nga pasuritë më të mëdha publike në Shqipëri.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *