Edhe pse shokë me njëri-tjetrin, Kolë Fermosi, 28 vjeç mbeti i vdekur pasi u qëllua me thikë nga shtetasi Kristian Shkambi. Vrasja ndodhi në fshatin Hot i Ri në Shkodër. Viktima Kolë Fermosi dhe autori Kristian Shkambi mësohet se kanë qenë duke ndenjur në shoqërinë e njëri-tjetrit për disa orë me radhë, në një lokal në fshat.
Nga sa mësohet, dy të rinjtë nuk kanë qenë të shoqëruar me persona të tjerë në tavolinë. Nën efektin e pijes, dy personat kanë nisur që në momente të ndryshme të ofendojnë njëri-tjetrin, gjë e cila ka bërë përshtypje edhe te klientët e tjerë të lokalit.
Pasi janë larguar nga lokali, dy të rinjtë janë ndarë nga njëri-tjetri për të shkuar në banesat respektive. Por, Kristian Shkambi pas pak minutash është rikthyer sërish dhe është takuar përsëri me shokun e tij me të cilin kishte qëndruar për disa orë.
Mes tyre ka vijuar debati dhe pasi janë ofenduar me njëri-tjetrin, Kristian Shkambi ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe e ka goditur në zemër Kolë Fermosin, duke e lënë të plagosur rëndë. 28- vjeçari u dërgua në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por pavarësisht ndihmës së shpejtë, nuk ka arritur që t’i bëjë ballë plagës së rëndë duke ndërruar jetë.
Ngjarja ka tronditur të gjithë ata që i njohin të dy këta shtetas dhe rrethin shoqëror të tyre, duke qenë se ishin shokë me njëri-tjetrin. Pak pas ngjarjes, Policia në një kohë të shpejtë ka mbërritur në vendin ku ndodhi vrasja. Fillimisht është bërë rrethimi i zonës dhe më pas janë bërë veprimet e para hetimore.
Më pas, efektivët në një kohë të shpejtë kanë mësuar autorin e kësaj vrasjeje dhe u vunë në ndjekje të Kristian Shkambit. Autori i dyshuar u arrestua te disa të afërm të tij, jo shumë larg nga vendi i ngjarjes.
Në momentin që ka mbërritur Policia, autori nuk ka bërë asnjë lloj rezistence. Ndërkohë, Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.