Kryebashkiaku i Kukësit ka kërkuar që të lirohen qytetarët e arrestuar lidhur me protestën e ndodhur një ditë më parë në “Rrugën e Kombit”. Kryetari i Bashkisë Kukës Bashkim Shehu, në një deklaratë për mediat e quajti të panegociueshëm lirimin e qytetarëve të arrestuar dhe kërkoi heqjen e forcave të shumta policore që prej ditës së djeshme janë vendosur në këtë zonë.
“Duhet urgjentisht të lirohen qytetarët. Një protestë duhet të hetohen dhe të dalin fajtorët. Qytetari është i fundit që duhet të arrestohet. Banorët janë shumë të shqetësuar. I bëj thirrje kryeministrit të nisë një hetim të paanshëm. Se nuk mund të marrësh vetëm qytetarët se në protestë nuk ka vetëm një anë. I bëj thirrje ministrit të brendshëm të hetojë dhe bëjë transparence”-deklaroi kryebashkiaku Shehu.
Situata në Kukës është mjaft e rëndë ku në dhomat e baraburgimit janë një numër i madh qytetarësh që u morën në pyetje, ndërsa janë lëshuar 24 urdhër-arreste për personat që dyshohet se sulmuan dhe më pas dogjën zyrat e kompanisë konçensionare që vjel taksën në Rrugën e Kombit.
“I kam shkruar shumë përpara ministrisë së transporteve dhe kryeministrit ta bëjë transparente kontratën. Nuk shkohet në një takim nga kryetari i bashkisë që i arrestohen qytetarët. Unë i bëj shkresa të gjithë institucioneve zyrtare që urgjentisht të ulet e të bëjë transparencë. Ka dhe brenda protestuesve socialistë të ndershëm. Unë mendoj se sot kryetari i bashkisë së Kukësit duhet të qëndrojë me qytetarët dhe të mos largohet asnjë moment nga Kukësi. Nëse do qeveria të vijë dhe të komunikojë”-shtoi Shehu. Ndërkohë ka dhënë edhe qëndrimin e tij që shprehet se nuk është kundër taksës, por për uljen e saj.
“Sot unë jam thjesht një përfaqësues i qytetarëve. Porsa kohë qytetarët e mi ndien keq, unë skam tjetër përveçse të përfaqësoj ata. Bashkiam Shehu është pjesë e çdo proteste të PD dhe shoqërisë civile”-tha ai.