Skandal në Komisionin e Vetingut, nën hetim komisionerja Suela Zhegu

Nga Boldnews.al

Komisioni i Vetingut është përfshirë në një skandal të rëndë, pak kohë pasi ka nisur punën e tij. Një prej komisionerëve, Suela Zhegu, dyshohet se ka shkelur rëndë ligjin, duke shënuar të parin rast flagrant në institucionin që u krijua për të kontrolluar gjyqtarët dhe prokurorët.

“Boldnews.al” ka mësuar nga burime brenda Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) po heton veprimtarinë e Zhegut, e cila dyshohet për konflikt interesi.

Procesi, sipas të njëjtave burime, gjithçka ka nisur pas ankesës së prokurores Rovena Gashi, drejtuar ONM-së, lidhur me veprimtarinë e komisioneres Zhegu.

Prej disa javësh, një portal ka publikuar të dhënat e dorëzuara nga prokurorja Gashi pranë Komisionit të Vetingut. Publikimi i këtyre të dhënave u shoqërua nga një sulm i hapur i këtij portali ndaj prokurores, për shkaqe personale të administratorit të atij portali.

Gjithësesi, pas publikimit të të dhënave konfidenciale, Gashi, e cila aktualisht është në proces rivlerësimi, pasi është anëtarë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, mësoi se në treshen e ngarkuar për kontrollin e saj, ishte edhe komisionerja Suela Zhegu.

Kjo e fundit rezulton të jetë në konflikt të pastër interesi me prokuroren Gashi. Bashkëshorti i Zhegut, me profesion ekspert urbanist, është i kallëzuar nga një familjar i Gashit për “ekspertim të rremë” dhe aktualisht çështje ndërmjet tyre po shqyrtohet në Gjykatë të Lartë.

Situata rëndohet akoma më shumë për shkak se, një pjesë e pasurive të publikuara, të cilat i atashohen Gashit, në fakt janë në pronësi të familjarit të saj që është në konflikt gjyqësor me bashkëshortin e komisioneres Zhegu.

Në ankesën e saj drejtuar ONM-së, prokurorja Gashi ngre dyshimet se publikimi dashakeqës, si edhe keqpërdorimi i të dhënave të dorëzuara prej saj në Komisionin e Vetingut, mund të jenë organizuar nga komisionerja Zhegu, për shkak të çështjeve personale.

Kjo, bindje krijohet edhe për faktin se, prokurorja Gashi ka dorëzuar pranë Komisionit të Vetingut disa dokumenta shtesë, përfshirë edhe ato që lidhen me familjarin e saj që ka kallëzuar bashkëshortin e komisioneres Zhegu në dt. 7 Mars 2018. Dhe, këto dokumenta, u publikuan vetëm dy ditë më pas, në dt. 9 Mars 2018.

Procesi i Vetingut për prokuroren ka nisur në Tetor të vitit 2017, ndërkohë që të dhënat e deklaruara prej saj u publikuan në muajin Mars 2018. Pra, gjatë periudhës 5-mujore, komisionerja Zhegu ka kryer verifikime ndaj Gashit, në shkelje të plotë të ligjit, pasi ndërmjet tyre ekziston hapur konflikti i interesit.

Shmangia e këtyre situatave është parashikuar shprehimisht edhe në nenin 27 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në të cilin thuhet:

(Neni 27) Garantimi i paanësisë:

  1. Anëtari i institucioneve të rivlerësimit deklaron dhe shmang çdo situatë konflikti interesi, në respektim të ligjit “Mbi parandalimin e konfliktit të interesit”. Çdo vendim i marrë në një situatë konflikti interesi, përveç pasojave ligjore në procesin e vendimmarrjes, përbën shkelje disiplinore, sipas këtij ligji.

Në rastin konkret, siç ka mësuar “Boldnews.al”, konflikti i interesit është lehtësisht i dallueshëm. Sipas ligjit, i takonte komisioneres Zhegu, e cila, që në momentin që është caktuar të jetë në treshen që do të kontrollonte prokuroren Rovena Gashi, të deklaronte situatën e konfliktit të interesave.

Por, siç rezulton, ajo, për të paktën katër muaj, jo vetëm që nuk e ka deklaruar këtë situatë, por ka vijuar të zhvillojë procedurat verifikuese për prokuroren. Dhe, pikërisht gjatë kësaj kohe, publikohen dokumentat e dorëzuara nga Gashi në Komisionin e Vetingut, në shkelje të hapur edhe të parimit të konfidencialitetit.

Kjo situatë, ashtu siç ka parashikuar edhe neni 16, mund të sjellë pasoja të rënda ligjore në procesin e vendimmarrjes. Për shkak të konfliktit të interesit të një prej komisionerëve, në rastin konkret të Suela Zhegut, i gjithë procesi i rivlerësimit për prokuroren Rovena Gashi duket se është i paragjykuar dhe aspak në përputhje me ligjin.

Çdo rezultat që pritet t dalë nga ky proces është i dyshimtë, për faktin se, siç rezulton, është tërësisht i njëanshëm dhe me qëllime negative.

Neni 16 i ligjit të Vetingut ka parashikuar gjithashtu edhe përgjegjësinë ligjore, në rastet e shkeljes së konfliktit të interesit:

Neni 16 (Përgjegjësia disiplinore e anëtarit të institucioneve të rivlerësimit)

Anëtari i institucionit të rivlerësimit mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkak të:

  1. Mosparaqitjes së kërkesës për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, kur ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e rasteve të papajtueshmërisë për ushtrimin e funksionit, sipas legjislacionit në fuqi dhe nëse anëtari është në dijeni të rrethanave të tilla.
  2. Sjelljes, akteve dhe veprimeve të tjera të anëtarit, që krijojnë përfitime të padrejta ose dëme për palët pjesëmarrëse në gjykim

Komisionerja Zhegu, e cila më parë ka qenë edhe zyrtare në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, është njohëse e mirë e ligjit për “Parandalimin e konfliktit të interesave…” dhe, natyrisht, edhe pasojave ligjore, në rast të shkeljes së tij.

 

 

 

 

 

 

One thought on “Skandal në Komisionin e Vetingut, nën hetim komisionerja Suela Zhegu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *