Zyrë dhuratë dhe 100 mijë USD nga motra, ja përse “Vetingu” nis me Fatos Lulon

Nga Boldnews.al

Fatos Lulo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2013, është një ndër gjyqtarët që ka votuar kundër ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe Vetingut. Ai është emëruar në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2013 dhe do të jetë i pari gjyqtar që do të përballet me komisionin e Vetingut

në seancën dëgjimore, të caktuar për ditën e mërkurë, ora 10.00.

Në bazë të ligjit për “Vetingun”, seancat dëgjimore zhvillohen kur komisionerët vërejnë probleme ose kanë paqartësi në dokumentacionin e vetë-deklaruar nga subjekti. Komisioni i Vetingut nuk ka bërë publike problematikat gjatë procesit të verifikimit të Fatos Lulos. Por, duket se qëndrimet e tij gjatë shqyrtimit të ligjeve të Reformës në Drejtësi në Gjykatën Kushtetuese, e kanë vendosur në shënjestër të Komisionit të Vetingut.

Gjyqtari Lulo, së bashku me kolegun e tij, tashmë të dorëhequr, Besnik Imeraj, kanë prezantuar qëndrim mbështetës ndaj argumentave të paraqitura kryesisht nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kundër ligjit të “Vetingut”; ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe Kodit të Procedurës Penale.

Fatos Lulo ka votuar pro kërkesës së Shoqatë Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 76, pika 2, të ligjit nr. 115/2016, “Përorganet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Gjithashtu, ai ka votuar pro kërkesës së Unionit të Prokurorëve, i cili kërkonte shquqizimin e një pjese të madhe të neneve të Kodit të Procedurës Penale.

Emri I gjyqtarit Lulo është publikuar edhe para disa vitesh, pasi ai deklaroi pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive një shumë të madhe financiare, si dhuratë nga e motra e tij. Motra e gjyqtarit Lulo ka një aktivitet biznesi të madh dhe ka nënshkruar kontratë të rregullt dhurimi për shumën financiare në favor të vëllait të saj, në atë kohë gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Në vitin 2008, gjykatësi Lulo mori një dhuratë nga e motra me vlerë 100 mijë dollarë dhe në vitin 2009, mori një dhuratë tjetër po nga e motra, zyrë me sipërfaqe 172 metra katrorë në Tiranë, e cila vlen rreth 200 mijë euro. Pikërisht, kjo marrëdhënie financiare mund të shërbejë si justifikim zyrtar për Komisionin e Vetingut që të nisë seancat dëgjimore pikërisht me gjyqtarin Lulo.

Gjithashtu, z. Lulo njihet si një prej njerëzve të afërt të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Për kolegë të tij, kjo lidhje politike ndoshta është edhe një tjetër shkak që Komisioni i Vetingut të niste procedurat e seancave të hapura, pikërisht me gjyqtarin Fatos Lulo.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *