Nga Xhika te Frrokaj, Prokurorisë po i “pret shpata” vetëm nga opozita

March 19, 20180
marku.png?fit=443%2C350

Nga Boldnews.al

Arrestimi i kryebashkiakut demokrat të Lezhës, Fran Frrokaj, është dëshmi e radhës së hetimeve selektive që po kryen Prokuroria nën drejtimin e Arta Markut. Kryeprokurorja e Përkohshme u emërua në mesin e dhjetorit, në një seancë të tensionuar parlamentare, pasi opozita ishte kundër procedurës së zgjedhjes së saj. Opozita PD-LSI akuzoi kryeministrin Edi Rama se po zgjidhtë Kryeprokuroren në shkelje të Kushtetutës.

Sipas tyre, Prokurorja e Përkohshme, e zgjedhur vetëm me votat e socialistëve, do të ishte një levë në duart e maxhorancës parlamentare kundër opozitës. Në fakt, 3 muaj nga emërimi i Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, dyshimet e opozitës duket se po faktohen.

Deri më tani, prokuroria ka goditur zyrtarë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë, nuk ka asnjë hetim ose ka zbutje të situatave hetimore për eksponentë të Partisë Socialiste. Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës nga Arta Marku, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i riktheu pasaportën ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Krahu i djathtë i kryeministrit Edi Rama, Saimir Tahiri është nën hetim për bashkëpunim me grupin e narko-trafikantëve “Habilaj”. Gjithashtu, u lirua nga burgu edhe Orest Sota, i arrestuar me 863 mijë euro, për të cilat Prokuroria dyshon se janë të Saimir Tahirit. Ky dyshim forcohet edhe nga fakti se, bashkë me paratë, në makinën e Sotës u gjetën edhe patentat e skafit të ish-ministrit Tahiri.

Në fillim të shkurtit, Prokuroria e Elbasanit, e cila tashmë drejtohet nga një prej të besuarve të Arta Markut, urdhëroi ndalimin e dy ish-zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, njëri eksponent i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe tjetri i Partisë Demokratike. Dashamir Xhika dhe Andi Toma u arrestuan si të dyshuar për abuzime me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan. Një tjetër drejtor i rëndësishëm i Rrugëve, Afrim Qendro, zyrtar i Partisë Socialiste, nuk është përfshirë në këtë hetim, pavarësisht rolit të tij vendimtar në procedurat tenderuese për këtë vepër publike.

Në shkurt, me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, gjykata vendosi ndalimin për dalje jashtë Shqipërisë të kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i dyshuar për abuzime me tokat. Nuredini është zgjedhur nën siglën e PDIU-së, e cila dukshëm nuk është më aleate e Partisë Socialiste.

Në fundjavë, Prokuroria e Lezhës urdhëroi arrestimin e kryebashkiakut të qytetit, Fran Frrokaj, i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike, për abuzimet me tokat. Në asnjë rast, gjatë drejtimit të Arta Markut, nuk ka asnjë hetim apo penalizim për zyrtarët e Partisë Socialiste. Për më tepër që, raste nuk janë të pakta, madje edhe domethënëse.

Kryebashkiaku socialist i Durrësit, Vangjush Dako, është nën hetim prej disa muajsh nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuar se ka bashkëpunuar me grupe kriminale për vjedhjen e votave në zgjedhjet e vitit 2017. Nuk ka asnjë të dhënë se si po ecën ky hetim dhe nëse vijon apo është pushuar.

Kryebashkiaku socialist i Elbasanit, Qazim Sejdini, dyshohet se bashkëpunon me grupe kriminale në Elbasan, të cilët drejtojnë punët e pista në këtë qytet. Deri më tani nuk ka asnjë hetim të nisur nga Prokuroria e drejtuar nga Arta Marku.

Ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka asnjë hetim apo verifikim, pavarësisht procedurave të dyshimta për inceneratorin e mbetjeve urbane, për bumin e lejeve të ndërtimit pa kriter, përmbytjes së zonës së autostradës pranë Kasharit e shumë vendimeve të tjera të tij.

Banorët e Fierit zhvillojnë protesta të vazhdueshme për ngritjen e inceneratorit në këtë qytet, për shkak të problemeve që sjell. Por, Prokuroria duket se nuk ka asnjë vullnet për të nisur hetimet lidhur me vendimmarrjen e kryebashkiakut Armando Subashi.

Lista e zyrtarëve të Partisë Socialiste, të cilët duhet të ishin nën hetim, është shumë e gjatë. Ajo nis nga pushtetarët lokalë dhe përfundon tek peshqit e mëdhenj qeveritarë.

Por, duket se asnjë prej eksponentëve të maxhorancës nuk është ende në radarin e Arta Markut, e cila deri më tani ka prerë vetëm nga opozita.