Ekskluzive/ Klandestinë drejt SHBA, zbulohet skema e trafikut

Grupet e trafikantëve shqiptarë që dërgonin klandesitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërtuar një rrjet të sofistikuar dhe të mirëorganizuar. Në rrjetin e tyre ishin të përfshirë, krahas shtetasve shqiptarë, edhe agjenci transporti në vende të ndryshme, si edhe zyra ligjore amerikane.

“Boldnews.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive itenerarin dhe mënyrën e transportimit të shtetasve shqiptarë nga vendi ynë në drejtim të Amerikës. Në bazë të të dhënave të siguruara nga “Boldnews.al”, rezulton se autoritetet amerikane kanë evidentuar disa linja, të cilat përshkonin itenerarin nga Ballkani deri në kufirin me Meksikën.

Këto të dhëna u janë vënë në dispozicion autoriteteve shqiptare, të cilat zhvilluan hetimin për të zbuluar grupet e organizatorëve në vendin tonë. Në bazë të informacioneve amerikane, Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit realizuan operacionin, në të cilën u arrestuan në fundjavë 39 persona.

Në dosjen hetimore janë të paraqitura në mënyrë të detajuar të dhënat për organizimin e trafikut klandestin.

Paraprakisht “klientëve” (klandestinëve) u kërkohet kopje  e pasaportës, dy fotografi dhe 25 mijë dollarë, të cilat lihen peng te një person i tretë, i besuar i të dy palëve. “Klientit” që niset për të realizuar këtë udhëtim, nga shuma 25 mije dollarë, i jepen 5 mijë dollarë me vete dhe shoqërohet nga një person tjetër, i cili është në rolin e udhëheqësit të grupit.

Nga Shqipëria, “klientët” udhëtojnë me pasaporta shqiptare drejt Spanjës, nga ku kalohet në Meksikë, e më tej, në rrugë tokësore, kalohet në SHBA.

Hotelet ku qëndron “klientela”, prenotohen nga Shqipëria me anë të agjencive turistike. “Klientit” i jepet edhe një numër telefoni për të komunikuar për çdo problem që mund t’i dalë rrugës. Pasi klandestini kalon në SHBA, atje e pret një person tjetër, bashkëpunëtor i grupit, i cili bën lidhjen me një avokat. Ky i fundit merr përsipër të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për të qëndruar ligjërisht në Amerikë. Për këtë procedurë, shumës së parave të cituar më lart, duhet t’i shtohen nga 5 mijë deri në 10 mijë $ të tjerë, raporton “Boldnews.al”.

Udhëtimi i klandestinëve është i gjatë dhe kalon në disa rrugë. Itenerari kryesor kalonte nëpërmjet linjës Shqipëri-Maqedoni-Bullgari-Austri-Spanjë-Meksikë. Gjithashtu, organizatorët shfrytëzonin edhe rrugë të tjera për transportin e klandestinëve, por më të gjata dhe më të kushtueshme.

Këto linja funksiononin në itenerarin:

– Shqipëri – Mali i Zi – Bullgari – Austri – Itali – Spanjë – Guatemalë – Honduras – Meksikë – SHBA, dhe;

– Shqipëri – Kosovë – Bullgari – Austri – Itali – Spanjë – Guatemalë – Honduras – Meksikë – SHBA.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *