Financat: Kriza në prodhimin e energjisë rreziku më i madh për ekonominë në 2018

Thatësira e tejzgjatur e këtij viti  dhe vijimi i saj edhe për vitin që vjen është vlerësuar rreziku më i madh që kërcënon stabilitetin fiskal dhe ekonomik të vendit për vitin 2018 sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave.

Qeveria ka relatuar për Kuvendin se, situata hidrike problematike e vitit 2017 ka kushtëzuar rënien e prodhimit të energjisë në vend, nuk mund t’i sigurojë OSHEE sh.a sasinë e nevojshme të energjisë duke e detyruar këtë të fundit që t’i drejtohet importit të energjisë me çmimin e tregut, logjikisht më i shtrenjtë se sa ai i prodhimit vendas.

Për pasojë, brishtësia e sektorit të Energjisë nga situata meteorologjikë në vend, përbën faktorin kryesor të riskut.  Qeveria sqaron se në rastet e një situate ndjeshëm negative, ky vulnerabilitet efektiv shkakton një efekt domino në të gjithë operatorët e sektorit, me një ndikim të ndjeshëm në situatën financiare të secilës prej kompanive, duke vënë kësisoj në pikëpyetje ecurinë e masave të ndërmarra në kuadër të reformës për rimëkëmbjen energjetike

Situata e pafavorshme financiare e OSHEE sh.a gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, kushtëzuar nga kushtet e vështira klimaterike të thatësirës së tejzgjatur,  mund të rishfaqet gjatë vitit 2018 shprehet Ministria e Financave . Për rrjedhojë, pozicioni i pafavorshëm financiar i OSHEE sh.a ndikon edhe në situatën e kompanive të tjera të sektorit, sidomos të KESH sh.a, përmes pamundësisë së arkëtimit të detyrimeve të kësaj të fundit nga OSHEE sh.a.

Përvoja ka treguar se, mungesa e prodhimit vendas të energjisë ka prodhuar rreziqe fiskale që në fund kanë kontribuar në rritjen e përgjithshme të borxhit publik dhe janë bërë shkak për futjen në kaos detyrimesh të të gjithë sistemit energjetik.

Kriza e prodhimit të energjisë ka një efekt kaskadë që në finale e ngadalëson ekonominë. Fillimisht, deficiti tregtar i vendit do të thellohet edhe më shumë nga dalja jashtë e vendit e një sasie jo të zakonshme valute për importet.

Ndërsa institucionet që merren me monitorimin e zhvillimeve ekonomike kanë nisur të japin sinjalet për efektet negative të energjisë.

Rritja ekonomike në aspektin e krizës energjetike ngadalësohet nga fluksi më i pakët i investimeve publike, të cilat sipas ekspertëve, janë një indikator i rëndësishëm në faktorët e rritjes.

Shkurtimi i planit të investimeve nga OSHEE dhe rialokimi i fondeve kontigjencë në buxhet përkthehet në më pak punë për bizneset, të cilat tre vitet e fundit i kanë pasur një burim të madh financimi fondet e OSHEE-së me të cilat janë organizuar qindra tenderë për rikonstruksionin e linjave dhe nënstacioneve në të gjithë vendin.

Shpenzimet për importin e energjisë elektrike u shumëfishuan këtë vit për shkak të thatësirës së tejzgjatur. Që nga muaji qershor kur filluan importet jo të zakonta për shkak të rënies së nivelit të baseneve OSHEE ka shpenzuar rreth 100 milionë euro për blerjen e energjisë jashtë vendit.

Kjo shumë është e barabartë me planin e investimeve të kompanisë për këtë vit. Gjithashtu kjo vlerë është rreth 15% e fondit buxhetor për shpenzimet publike.

Gjithashtu qeveria nuk ka sinjalizuar subvencione direkte për importet e mëtejshme të energjisë, duke ia lënë faturën e importeve tërësisht Operatorit të Shpërndarjes.

Deri sa reshjet të rikthehen, OSHEE do të jetë e detyruar të ulë injektimin në ekonomi nëpërmjet investimeve për të siguruar energjinë e nevojshme për konsum.

 MONITOR

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *