Universiteti i Tiranës po përballet me fluks aplikimesh, pas vendimit të Ministres Nikolla për të plotësuar kuotat bosh të mbetura për maturantët. Në Fakultetin e Shkencave Sociale, kanë mbetur vetëm 8 kuota të lira dhe për to kanë aplikuar 500 persona.
Shtyrja e afatit të aplikimeve për ata që duan të vazhdojnë Universitetin ka sjellë fluks të marutantëve në këtë mundësi të fundit për të plotësuar kuotat e mbetura.
Fakulteti i Shkencave Sociale po përballet me një numër të lartë aplikimesh ku për 8 kuota të lira të mbetura, kanë aplikuar 500 të rinj kandidatë për studentë.
Edmond Rrapti: Duhet t’ju them që ka një numër shumë të madh aplikantësh, të cilët kërkojnë të plotësojnë ato 8 kuota të lira në pesë programet ku kanë mbetur ende të paplotësuara në Fakultetin e Shkencave Sociale. Relativisht një vend do të ketë mbi 60-70 aplikime dhe do fitojë ai që është më i miri.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Edmond Rrapti, e lidh këtë fluks me rëndësinë dhe emrin që ka Universiteti publik.
Edmond Rrapti: Ky është dhe një mesazh që Universiteti i Tiranës mbetet universiteti më i mirë në Shqipëri dhe është më i dashur për gjithë rininë shqiptare.
Deri të martën procesi i aplikimeve duhet të përfundojë. Ministrja Nikolla kërkoi nga këto institucione plotësimin e kuotave të lira përmes një urdhri të ri.
Në Fakultetin e Shkencave Sociale u mbajt dhe një konferencë për etikën dhe transparencën e arsimit në Shqipëri duke dalë me një sërë rekomandimesh për qëllim rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.