Vendimi i Bashkisë së Pogradecit për ndërtimin e pikës së grumbullimit të mbetjeve në fshatin Leshnicë ka hasur në rezistencën e 2500 banorëve të këtij fshati.
Ata thonë se vendimi i Bashkisë u rrezikon jetën, pasi fusha e depozitimit të mbetjeve parashikohet të ngrihet pranë qendrës së banuar dhe tokave bujqësore.
Teksa janë përpjekur të parandalojnë fillimin e punimeve 7 prej banorëve të Leshnicës janë shoqëruar në komisariatin e Pogradecit, ndërsa 70 të tjerë shkuan për ti mbështetur.
Por pas orëve të kaluara në polici, banorët e Leshnicës u shprehën më të vendosur për të ndaluar ndërtimin e pikës së mbetjeve të pogradecit në fshatin e tyre
Banor: “Unë pi ujë me pus. Ju lutem na mbroni fëmijët. I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë të heqë dorë sa nuk i ka lyer duart me gjak. Ai po na vret fëmijët, po na i bën me kancer.”
Të paktën 2000 m2 janë vendosur në dispozicion të ndërtimit të pikës së grumbullimit të mbetjeve në fshatin Leshnicë të Pogradecit ku aktualisht jetojnë rreth 600 familje.
Ndërkaq Bashkia e qytetit Juglindor nuk ka pranuar të prononcohet për rastin në fjalë.