AKTUALITET

Mashtrimi 2 milion euro/ Zbardhet vendimi që riktheu në burg aksionerin e Spitalit Gjerman

Nga Boldnews.al

Tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, Flutur Skënderi dhe Evgjeni Sionimeri vendosën më 16 gusht 2017, rikthimin në burg të një prej aksionerëve të Spitalit Gjerman, Lefter Sulkaj. Vendimi u zbardh sot nga Boldnews.al, i cili ka denoncuar qysh prej fillimit skemën e mashtrimit të Sulkajt. Ky i fundit kishte arritur ti merrte dy qytetarëve, rreth 2 milion euro. Përveç mashtrimit, kjo ngjarje shfaqi edhe njëherë brishtësinë e gjykatave në vendin tonë, të cilat shkelin syrinë përballë padrejtësisë.

Prokuroria e Tiranës, në bazë të dy kallzimeve të sipërpërmendura, kishte kërkuar “Arrest me burg” për aksionerin e Spitalit Gjerman, Lefter Sulkajn, pasi ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale 143/2 të Kodit Penal, e që parashikohet një dënim nga 10 deri në 20 vjet burg.

Por Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, nuk e kishte marrë parasysh këtë fakt, duke vendosur masë sigurie, “Arrest Shtëpie” për Sulkajn, pavarësisht veprës së rëndë penale që i ngarkohej. Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës nëpërmjet një ankimimi i kërkonte Gjykatës së Apelit që të rrëzote masën e sigurisë së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, duke rikthyer sërish në burg biznesmenin nga Berati, Lefter Sulkaj.

Gjykata e Apelit dëgjoi shqetësimin e organit të akuzës dhe riktheu në burg, aksionerin e Spitalit Gjerman, Leftar Sulkaj. Sipas vendimit që disponon Boldnews.al,  Gjykata e Apelit shprehet hapur se cënuar ligji nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. “Nuk mund të bëhet fjalë për zbuje të nevojave të sigurimit. Masa e Arrestit me Burg vazhdon të jetë në raport me rëndësinë e faktit, dhe sanksionimit që parashikohet për këtë vepër penale” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Po kështu nisur nga fakti që vepra konsiderohet me rëndësi të veçant për shkak të marzheve relativisht të larta të dënimit që parashikon kjo dispozitë, çdo masë tjetër sigurimi do të ishte e papërshtatshme.” – shton më tej vendimi.

Ndërkohë avokatët e Lefter Sulkajt pretenduan se klienti i tyre kishte shlyer më shumë se gjysmën e detyrimit të marrë hua, por në fakt edhe kjo rezultoi një tjetër mashtrim, pasi në dosjen e dorëzuar në gjykatë rezultonin vetëm dy fatura. Në datë 14.12.2016 dhe 15.12.2016, Lefter Sulkaj i ka kthyer kallzuesit vetëm 30 mijë euro dhe 11.000.000 lekë, ndërsa i detyrohej edhe 270 mijë euro si dhe 30.000.000 lek. Pra, këto dy shuma ishin qesharake në krahasim me mashtrimin që kishte bërë aksioneri i Spitalit Gjerman, Lefter Sulkaj.

I maskuar me biznese, Lefter Sulkaj kishte krijuar profilin e një njeriu të kamur, duke u shfaqur mes luksit dhe shpenzimeve të shfrenuara. Imazhi i tij kishte shërbyer për një qëllim, atë të mashtrimit të qytetarëve duke u marrë shuma të mëdha parash, që i kalonin miliona euro.

Sulkaj tashmë kërkon t’i imponojë drejtësisë pafajësinë që nuk e meriton. Avokatët e tij e kanë ankimuar në Gjykatën e Lartë, masën e sigurisë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm e klientit të tyre. Por a do të bjerë pre e mashtrimit edhe trupa gjyqësore, në një kohë që procesi i vettingut është rrugës për të thyer çdo gjyqtar të korruptuar?! Kjo mbetet për tu parë në ditët në vijim…Boldnews.al do të denoncojë me emër dhe fotografi çdo gjyqtar që shkel parimet dhe drejtësinë.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Te Fundit

To Top