Importi i plehrave/ Reagon AKIP: Z. Rama, ju nuk po bashkëqeverisni me qytetarët!

Vendimi i Edi Ramës për të futur në parlament që në seancat e para ligjin që lejon importin e plehrave ka nisur të shkaktojë reagimet e para. Mediat e evidentuan me shqetësim futjen e ligjit në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 18 shtator – 13 tetor. Ndërsa AKIP (Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve) i bëri një letër të hapur kreut të qeverisë. Duke i kujtuar kryeministrit shpalljen e tij për të bashkëqeverisur me qytetarët, AKIP i kujton se mbi 90 % e qytetarëve shqiptarë janë kundër importit të mbetjeve. Po ashtu, AKIP flet me shqetësim edhe për impiantet e djegies së mbetjeve, si ai i Elbasanit, që vazhdon të shkaktojë ndotje të mjedisit. Lapsi.al po e boton të plotë letrën e AKIP.

LETRA E PLOTE

Aleanca Kunder Importit te Plehrave
Tiranë 17 Shtator 2017
Letër e hapur z. Edi RAMA, kryeministër i Shqipërisë,
Ne aktivistët e Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) kemi sot një hall të madh, për të cilin edhe Ju në vendimin e parë të Qeverisë në Shtatorin e vitit 2013 u bashkuat, si asnjëherë tjetër në kohën e demokracisë në vend, me vullnetin tonë dhe të mbi 60.000 firmëtarëve për referendum, pro apo kundra importit të mbetjeve, që ne përfaqësuam dhe vazhdojmë të përfaqësojmë. Tani në Shtatorin e 2017, jeni po ju, që keni vendosur në axhendë në ditët e para të qeversjes suaj ligjin për importin e mbetjeve. Duke parë se si kanë rrjedhur ngjarjet në këtë vit të fundit nuk e dimë nëse qëndrimi juaj do jetë në mbështetje të kërkesës së pandryshuar të qytetarëve për ndalimin e importit të mbetjeve, apo jo.
Ne e kemi pritur me kërshëri jo vetëm premtimin, por dhe hapat konkret edhe në ditët e fundit të bashkëqeverisjes me qytetarët.
Ne jemi të bindur se, përvecse ligjërisht përfaqësojmë mbi 60000 qytetar, shprehim dhe opinionin e testuar të 90% të Shqiptarëve dhe këtë qëndrim tonin dëshirojmë t’ju a parashtrojmë Ju personalisht. Besojmë se kjo kërkesë e jona përputhet me politikën e prezantuar nga ju për bashkëqeverisje me qytetaët.
Përtej thjesht, ligjit të importit të mbetjeve, për të cilin iniciatorët dhe mbështetësit e këtij ligji gënjyen sistematikisht publikun kur thoshin se ligji është vetëm për riciklim dhe jo për djegje, konstatojmë se shumë vendime të vitit të fundit për ndërtim inceneratorësh, në Fier, Tiranë, Durrës, Korcë, e gjetkë, jo vetëm që janë një strategji (nëse mund ta quajmë kështu) krejtësisht e gabuar për vendin, por duket po ndërtohen në funksion të veprimit antikombëtar të djegjes së mbetjeve të importit. Edhe në rastin e ndërtimit të inceneratorëve vetëm në funksion të mbetjeve të vendit, është duke u zbatuar një vendim që rrudh ose shkatërron industrinë e riciklimit, sidomos të plastikës, sic po ndodh me inceneratorin e Elbasanit, pa përmendur ndotjen e shtuar të ajrit që është e pashmangshme. Për më tepër, Shqipëria me kaq shumë burime të rinovueshme për prodhimin e energjisë nuk ka nevojë për energji të prodhuar nga burimi më ndotës në planet, sic është energjia na djegja e plehrave.
Ne jemi të shqetësuar që në vend thuajse nuk po bëhet asgjë, me përjashtim të një iniciative gjysmake të Bashkisë së Tiranës për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve me vendosje të cmimit për qeset plastike në pak supermerkata, për ripërdorimin, infrastrukturën e riciklimit, edukimin mekanizmat e ndryshëm fiskal për të përmisuar menaxhimin e mbetjeve, etj. Nuk mund të mos përmendim se vënia në plan të parë e inceneratorëve shkon në drejtim të kundërt me hierarkinë e prioritit të menaxhimit të mbetjeve sipas parimeve dhe legjislacionit të BE-së, por edhe atij Shqiptar.
Z. Kryeministër nuk mund të ketë një rast më tipik të bashkëqeverisjes me qytetarët, se sa ky rast i menaxhimit të mbetjeve, ku cdo qytetar në këtë vend di, kupton dhe ndjen shumë për to.
Z.Kryeminitër, ne si shoqëri civile në një kohë të shkurtër mund t’ju ofrojmë një platformë të menaxhimit të mbetjeve, për një Shqipëri të pastër dhe atraktive, por edhe për një kujdesje më të madhe për shëndetin e qytetarëve.
Me përkushtim qytetar AKIP

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *