EKONOMI

Bilanci i 2016/ Spitali Hygeia raporton vetëm humbje, dyshime për evazion fiskal

I dyti spital privat më i madh në vend është Hygeia, me qarkullim vjetor prej 2.7 miliardë lekësh dhe zgjerim 11%.

Spitali vijon të jetë me humbje, që gjithsesi u ulën me 44% në 376 milionë lekë. Megjithatë, audituesi Grant Thornton tërheq vëmendjen se humbjet e larta dhe fakti që detyrimet afatshkurtra tejkalojnë aktivet afatshkurtra me 3.5 miliardë lekë tregojnë se “një pasiguri materiale ekziston, e cila mund të shkaktojë dyshim të rëndësishëm në aftësinë e Shoqërisë për të vazhduar në vijimësi”.

Spitali ka dy kredi me një vlerë totale prej 20 milionë eurosh me BERZH dhe Bankën e Detit të Zi (nga 10 mln euro secila), të cilat i ka ristrukturuar dhe ka filluar t’i paguajë rregullisht në 2016-n.

Edhe vetë kompania, në analizën e bilancit, pranon gjendjen e vështirë të saj. “Pamundësia e shoqërisë në përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së huasë dhe nevojave financiare, humbjet e saj të përsëritura nga operacionet, si dhe pozita negative e kapitalit punues mund të hedhin dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi.

Aftësia e shoqërisë për të përmbushur detyrimet dhe për të vazhduar në vijimësi varet nga fondet e marra nga shoqëria mëmë. Shoqëria mëmë është angazhuar të vazhdojë të sigurojë mbështetje financiare për shoqërinë për një periudhë prej së paku 12 muaj nga data e letrës mbështetëse. Drejtimi beson se po merr të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e biznesit të shoqërisë në rrethanat e tanishme”, thuhet në shënimet e bilancit.

Spitalet e tjera

Salus, spitali i tretë më i madh privat në vend, pas një rritjeje të shpejtë, është ngadalësuar në 2016-n. Të ardhurat u rritën me vetëm 3.5% në 544 milionë lekë. Edhe ky spital ka vijuar të rezultojë me humbje, ndonëse ajo është më shumë se përgjysmuar në 39 milionë lekë.

Spitali Gjerman ka rritur të ardhurat me 36% në 295 milionë lekë. Ai është nga të paktët me fitim, që zbriti në 25 milionë lekë në 2016-n, nga 87 milionë lekë një vit më parë.

Spitali Europian dhe Spitali Privat i Zemrës kanë shënuar rritje të fortë të të ardhurave me përkatësisht me 59 dhe 44%, ndonëse nisur nga një bazë e ulët. Spitali Europian vijon me humbje të larta, që janë më të larta se të ardhurat./Monitor

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Te Fundit

To Top