Agjensi të specializuara në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar (pjesë të raporteve të tyre kanë dalë pjesërisht në media) janë vënë në lëvizje seriozisht për çmontimin e këtij rrejti kriminal dhe duket se tek ministri i Brendshëm teknik, i propozuar nga PD, Dritan Demiraj, kanë gjetur një mundësi të mirë bashkëpunimi.
Disa goditje të fundit janë rezultat i këtij bashkëpunimi.
Gjithnjë brenda këtij aksioni që sapo ka nisur, një burim i tha portalit Lapsi se pritet që mbi 100 urdhëra për lëvizje të zyrtarëve të lartë të policisë, oficerë me grada nga nënkomisar e lartë, do të vihen në zbatim këto ditë.
Bëhet fjalë për shkarkime, transferime si dhe emërime të reja, të cilat do të mbajnë firmën e ministrit Demiraj.
I njëjti burim tha për Lapsin se me shumë gjasë, disa prej vendeve partnere, veçanërisht SHBA, i kanë kërkuar kryeministrit Rama mbajtjen në detyrë të Dritan Demirajt, pavarësisht se ai i përket opozitës.
Në disa deklarata publike, zyrtarë të ndryshëm amerikanë, kanë nënvizuar nevojën që mazhoranca e re të shohë mundësinë e një qeverisje me bazë më të gjerë dhe një bashkëpunim konstruktiv me opozitën.
Kjo ndoshta shihet si garanci që qeveria Rama 2, tani që i ka dhe numrat të pakushtëzuar në Kuvend, të mos rrëshkasë në degradim siç thuajse ndodhi në mandatin e parë në raport me krimin dhe trafikun e drogës.
Dhe me shumë mundësi Rama do të jetë i detyruar të pranojë një kondicionim të tillë.
Sinjalet për këtë strategji të re duhet t’i kenë shkuar edhe opozitës, e cila po bën kujdes mos t’i përdorë politikisht informacionet dhe faktet që po zbardhen dita- ditës e që tregojnë implikimin e qeverisë së shkuar në trafikun e drogës.
Nuk është çudi që Basha të ketë dhënë konsensus që PD të bëhet në një farë mënyre pjesë e qeverisë së pas 9 shtatorit. Me argumentin e kushtëzimit dhe kontrollit ndaj shumicës së re, PD mund të pranojë disa portofole ministrash, duke ruajtur në dukje “teknicitetin” e marrëveshjes së 18 majit të kaluar.
Dhe mes tyre, emri i Demirajt është më i sigurti- shkruan Lapsi.
Kolonel Dritan Demiraj ka 31 vite kontribut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Ai ka 24 medalje në ushtri dhe 27 në sport.
Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë dhe trajnues i misioneve “Eagle” (nga 1-7), Demiraj shihet si ushtaraku shqiptar me kontributin më të lartë në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme.
Demiraj është pedagog dhe autor i disa manualeve ushtarake.
Ai është dekoruar me urdhërin “Nderi i Kombit”.