Teksa drejtuesit e partive vazhdojnë të udhëheqin fushatat zgjedhore, të rinjtë e forumeve të tyre politike kanë shpalosur platformën e përbashkët për rininë.
Për herë të parë, 11 forume rinore politike janë bërë bashkë përtej ngjyrimeve politike që përfaqësojnë për problemet e të rinjve.
Kryetarët e forumeve rinore politike kanë firmosur kontratën e parë publike rinore kombëtare, që përfshin 8 prioritete kryesore, për të cilat do të lobohet në 4-vjeçarin e ardhshëm cilado qoftë partia që do të vij në pushtet.
Eljo Hysko, PS: Po flasim për punësimin e të rinjve për edukimin e tyre, për infrastrukturën rinore janë 8 projekte, të cilat ne do donin që bashkërisht unanimisht të lobonim në 4-vjeçarin e ardhshëm”.
Floida Kërpaçi, LSI: “Nëpërmjet programit tonë për punësimin e të rinjve çdo i ri do të ketë mundësi, për të pasur programe trajnimi afatshkurtra 3-6 muaj, që do t’i njihet me dokumentacion dhe me ligj si eksperiencë pune”.
Belind Këlliçi, PD: “Kryesisht përsa i përket papunësisë së madhe mes të rinjve që është në kufijtë e 40%, ligjit të ri të arsimit të lartë, i cili goditi në mënyrë klienteliste sistemin e meritë-preferencës janë dy probleme shumë madhore që dhe kjo kontratë i adreson”.
Drejtuesit e tre forumeve kryesore politike, PS, LSI dhe PD, pranojnë se për të rinjtë ka ende shumë punë për të bërë, që ata të mos e braktisin vendin.
Eljo Hysko: Pritshmëritë në një vend si Shqipëria nuk janë asnjëherë të plotësuara. Ne synojmë që të kemi kredi të buta për studentët dhe çiftet e reja”.
Floida Kërpaçi: Pritshmërirë, më e mira nuk është bërë. Vendi ynë ka nevojë për të rinjtë, ka nevojë për përkushtimin tonë, nuk ka nevojë që ne të largohemi”.
Belind Këlliçi: Sigurisht që një pjesë mund të jetë përmbushur. E mira nuk ka fund, përherë pritet më shumë nga partitë politike. Nuk duhet ta shohin më të rinjtë shpresën e vetme largimin nga vendi”.
Mes 8 prioriteteve të kontratës rinore është kërkuar që të ketë një ligj të posaçëm për të rinjtë; të rritet buxheti për arsimin në masën 6% të GDP; të zbatohet ligji i vullnetarizmit që e njeh si eksperiencë punën vullnetare si dhe të ketë kuota të veçanta punësimi./Ora news