Gjykata për Krimet e Rënda zhvilloi sot seancën e radhës ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij. Gjykata u shpreh për provat e kërkuara nga palët duke pranuat pyetjen e dëshmitarëve, mes të cilëve ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, dhe krerët e policisë Ardian Cipa, dhe Ervin Hodaj. Sipas prokurorisë, ata do pyeten për kërcënimet nga Emiljano Shullazi ndaj Mynyr Konit në mënyrë që ky i fundit të tërheqej nga gara si rektor universiteti.
Koni u kërcënua në muajin prill të 2016-ës që të tërhiqej nga gara për rektor në UT, jashtë një hoteli në Tiranë, ndërsa rastin e denoncoi në policinë e Tiranës, e më pas ka marrë kontakte me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit bashkë me dy rektorët Koni dhe Kule kanë shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm, në atë kohë, Saimir Tahiri, ku kanë shpjeguar ngjarjen që u kishte ndodhur. Tahiri u ka premtuar rektorëve angazhimin e Policisë për zbardhjen e ngjarjes. Të njëjtin premtim bëri për ta edhe Lindita Nikolla. “Unë jam kërcënuar personalisht dhe është gjithçka e vërtetë pavarësisht nga akuzat që janë hedhur se është inskenim, aspak. Kërcënimi ka qenë që të largohem nga kandidimi për rektor”- ka thënë rektori Koni.
Emiljano Shullazi u arrestua në mesin e muajit prill 2017, pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi kërcënimin që u ishte bërë rektorëve Mynir Koni dhe Dhori Kule. Në mbrëmje të po asaj dite, Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërarrestin për Shullazin e miqtë e tij Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin me akuzën e katër rasteve të gjobëvënies ndaj biznesmenëve. Sakaq, në seancën e sotme, Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për marrjen si provë të procesverbalit të dëshmisë së dhënë nga Ylvi Beqja gjatë hetimit, në formën e sigurimit te provës. Ylvi Beqaj do të pyetet më 22 qershor.
Po sot, Gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për deklarim të papërdorshëm të përgjimeve të kryera gjatë hetimit.