Nga Boldnews.al
Listat e deputetëve të Partisë Demokratike kishte jo pak surpriza, sidomos nga aleatët. Në qarkun e Fierit, një i ri i quajtuar Olsi Çukaj po garon me siglën e demokratëve, pavarësisht se ai vjen nga radhët e Partisë Agrare Ambjentaliste të Agron Dukës.
Çukaj është rendiur i 5-ti në listën e Partisë Demokratike të qarkut të Fierit. Ai është djali i biznesmenit Behar Çukaj, pronari i pikave të karburantit “Bolv Oil”. CV-ja e 26-vjeçarit nuk shquhet për ndonjë eksperiencë të madhe, përveç asaj të anëtarit të Këshillit Mbikqyrës në kompaninë e babait të tij.
Megjithatë, Olsi ka tentuar të shfaqë talentin e tij pak javë më parë me një fjalim “frymëzues” në qytetin e Fierit, aty ku pretendon të dalë deputet.
Teksa ka prezantuar veten e tij, i riu ka nisur të flasë për kodrat e bukura të Fierit dhe sesi mund të zhvillohej bujqësia në këtë zonë. Për të konkretizuar “platformën” e tij për bujqësinë, ai publikon arsimin e tij që është për Hoteleri-Turizëm.
“Nuk është diçka e vështirë që nuk e ka bërë njeri mëpërpara dhe mund ta bëni edhe ju. Unë kam mbaruar për Hoteleri-Turizëm dhe si në hoteleri, si dhe në turizëm, ushqimi është kryesor. Turisti kur vjen do të provojë ushqim dhe si mund të provojë një turist ushqime vendase ku ushqimi vendas as nuk mbështetet dhe as nuk përkrahet për tu shitur e për tu tregtuar” – ishte një pjesë e fjalimit mbresëlënës.
Por mesa duket Olsi Çukaj, i cili u shfaq nga hiçi në listat e Partisë Demokratike, mund të jap një kontribut për opozitën. Si pronar i kompanisë së naftës “Bolv Oil”, ai mund t’i shërbejë politikanëve me ndonjë furnizim nafte përgjatë fushatës zgjedhore.