Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu e ka cilësuar si fitoren e parë qytetare atë të tërheqjes së kryeministrit Rama dhe PS-së nga zgjedhjet e 7 majit në Kavajë.
Me anë të një statusi në Facebook, Mediu thekson se opozita dhe qytetarët shqiptarë janë të vendosur në kauzën e tyre për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas tij e vetmja rrugë është dialogu me opozitën dhe garantimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ja deklarata e plotë e Mediut:
Të dashur miq
Opozita e vendosur me qëllimin e madh për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sot njohu suksesin e parë, për të mos lejuar zgjedhje farsë në Kavajë.
Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kauza më e drejtë për ti kthyer pushtetin qytetarëve.
Kushtetuta përcakton se jemi një demokraci pluraliste dhe çdo gjë bazohet mbi të gjitha nga vota e lirë. Qeverisja me pëlqimin e qytetarëve.
Ky është një moment që kërkon reflektim për zgjedhjet e 18 Qershorit.
Rama dhe Partia socialiste duhet të kuptojnë se 18 qershori nuk është ditë votimesh si në komunizëm, por dita e shqiptareve që vendosin të ardhmen e tyre.
Dialogu me opozitën dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është rruga e zgjidhjes.
As opozitat farsë as krimi dhe trafiku as pushteti I inkriminuar nuk mund të ndalin dot të ardhmen Europiane të Shqipërisë, kjo është një betejë e gjatë dhe e vështirë.