Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i vendosur në kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Nga çadra e protestës, ai iu përgjigj sot në mbrëmje ftesës për dialog të bërë po sot nga kryeministri Rama si edhe vullnetit të shprehur nga mazhoranca për t’iu dhënë zgjidhje atyre “pikave që janë realiste”.
Por Basha thotë se opozita dhe protestuesit janë të vendosur në kërkesat e tyre, duke u shprehur se alternativa e vetme është largimi Edi Ramës.
Ndërkaq, ai ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit për pastrim të parave të pista. Sipas tij, Rama ka përfshirë familjarët e tij në transaksione të dyshimta.
“Pas hakmarrjes politike fshihet diçka më e madhe. Rama pasi i hapi dyert krimit, ka marrë një mision kombëtar e ndërkombëtar për pastrimin e parave. Ka përfshirë familjarët e tij në një bankë që është e dyshuar për transaksione të dyshimta për pastrimin e parave. Përpjekja jonë do të jetë edhe që të vendosen gjoba të majme për kompanitë e sigurimeve, para zgjedhjeve të ndershme, nëse i lejojnë këto lëvizje kriminale. Ka rënë parlamenti. Është një parlament i krimit. Dekriminalizimi nuk zbatohet. Kanë rënë bashkitë e vendit. Ka rënë pushteti i tretë, media, e cila ndodhet në një presion të jashtëzakonshëm pikërisht se duhet t’i shërbejë shtetit të krimit drogës dhe narkotrafikut, dhe tani paska mbetur një institucion pa kapur që është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe ky do jetë hapi i ardhshëm i Edi Ramës nesër në orën 10:00″, – deklaroi Basha.
Sipas tij “Rama mbuloi Shqipërinë me drogë, u dha mbështetje kriminelëve, i nxori kriminelët nga burgu, e tani kërkon ta shndërrojë këtë vend në një republikë të pastrimit të parave të pista të krimit e politikanëve. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë që institucioni i zgjedhjeve të lira e të ndershme të janë viktima e radhës e krimit në këtë vend. Alternativa e vetme është largimi i Ramës. Qeveria e narkotrafikut dhe e bandave do largohet me çdo kusht. Alternativa e vetme, e vetme e përsëris, është largimi i Edi Ramës. Republika e vjetër do marrë fund me largimin e tutorit të krimit drogës dhe parave të pista, dhe do t’i hapë rrugën një republike të re për qytetarët dhe me qytetarët”, – përfundoi lideri i opozitës, Lulzim Basha.