Forcat irakiane të sigurisë kanë marrë kontrollin e aeroportit të qytetit të dytë më të madh të vendit, Mosulit në vazhdën e përpjekjeve për ta shkulur atë krejtësisht nga duart e militanteve të shtetit islamik, raporton CNN.
“Inxhinierët riparuan të vetmin kalim drejt aeroportit që ishte shkatërruar nga ISIS-i, duke i hapur kështu rrugën avancimit të trupave tokësore. Rezistenca e luftëtarëve të Shtetit Islamik ishte e dobët. Pjestarët e tij kanë nisur të largohen drejt zonave më të populluara në jug të qytetit dhe po i përdorin civilët si mburoja njerëzore”, tha Abbas Al- Jibouri, nënkolonel.
Raportohet se i gjithë operacioni mori vetëm katër orë kohë.
Por miliantët vazhduan të lëshonin mortaja nga brenda qytetit pasi humbën terren përballë ushtrisë.
Marrja e aeroportit dhe zonës përreth konsiderohet e një rëndësie strategjike sepse ndihmon të kontrollohen rrugët që shkojnë drejt Mosulit perëndimor.
Pjesa lindore e qytetit është nën kontrollin e forcave qeveritare, por beteja për rajonin perëndimor të tij vazhdon të mbetet ajo më e vështira. Mes trupave që mësynë aeroportin kishte dhe ushtarë të koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk dihet ende cilat janë kombësitë e tyre, raporton CNN.