Hetimi i vrasjes së Azemit/ Fati i keq i prokurorëve, fama dhe shkarkimet nga detyra

Në shkurt 1999 me firmë të Prokurorit të Përgjithshëm të kohës, Arben Rakipi u ngrit grupi hetimor që do të hetonte vrasjen e Azem Hajdarit.

Kryetari i këtij grupi emërohet prokurori Haxhi Giu ndërsa së bashku me të do të punonin edhe prokurorët Arqile Koço e Artur Selmani. Shkëlqim Hajdari ishte oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurori që do të merrej me vrasjen e Azem Hajdarit, shkruan Panorama. Artur Selmani si pjesë e këtij grupi ka qenë i ngarkuar për të mbajtur kontaktet me prokurorët e huaj si dhe bënte përkthimet e materialeve. Për rreth katër muaj prokurorët pyetën rreth 150 persona që mund të kishin dijeni për vrasjen dhe në maj 2001 dërguan dosjen në Gjykatë. Por çfarë ka ndodhur me këtë grup prokurorësh dhe oficerin e policisë gjyqësore pas 15 vjetësh?

HAXHI GIU

U arrestua nga policia teksa po udhëtonte me makinën e tij në 2 dhjetor 2015 me akuzën se tentoi të lironte një trafikant droge në këmbim të 29 mijë eurove.

haxhi-giu

Prokurori i Krujës, Haxhi Giu, ka marrë përsipër që, në këmbim të një shume parash (euro), të zbusë akuzën për shtetasin Paulin Shpori, i arrestuar dhe i akuzuar për “trafik lëndësh narkotike” në vitin 2014, së bashku me disa persona të tjerë. Ndërkohë që çështja kundër Paulin Shpori dhe të tjerëve po zhvillohej në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, vëllai i të akuzuarit, shtetasi Aleks Shpori, në muajin shtator 2015, është vënë në kontakt me prokurorin e çështjes, Haxhi Giu dhe i kërkon që, në këmbim të një shume parash, të ndihmonte Paulinin të dilte nga burgu, raporton Panorama. Nga hetimi rezulton se prokurori Haxhi Giu ia ka bërë të qartë shtetasit Aleks Shpori se pozita proceduriale e të vëllait të tij është e vështirë dhe nuk mund ta ndihmojë. Pas këmbënguljes së shtetasit Aleks, prokurori i cakton një takim në Tiranë, fillimisht në një lokal dhe më pas së bashku shkojnë në një pikë këmbimi valutor. Sipas hetimit, në këtë pikë këmbimi valutor, shtetasi Aleks depoziton një shumë parash, si “garanci” për shërbimin antiligjor që do t’i kryente prokurori. Pas këtij takimi, Prokurori Haxhi Giu vihet në lëvizje për të plotësuar kërkesën korruptive të shtetasit Shpori. Ai u dënua me 2 vjet e 4 muaj burg, dhe përfitoi nga amnistia në 14 janar 2017.

SHKELQIM HAJDARI

Në 10 tetor 2014 Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla firmos shkarkimin e Shkëlqim Hajdarit nga detyra e drejtuesit të prokurorisë së Apelit në Tiranë. Fillimisht ai u emërua si prokuror i thjeshtë.

shkelqim-hajdari

Motivi i këtij shkarkimi ishte për arsye të organizimit të prokurorisë. Por si për koicidencë shkarkimi i Hajdarit nga kjo detyrë erdhi pas një konflikti të ashpër në një nga mbledhjet e prokurorisë në 3 tetor të atij vitit, bën të ditur Panorama. Në 11 dhjetor 2015 Llalla ka firmosur një tjetër urdhër për ta dërguar Shkëlqim Hajdarin si prokuror në qytetin e Shkodrës. Në 13 qershor 2016 Hajdari vendosi të largohet nga Prokuroria dhe në 14 korrik të po atij viti ai emërohet nga kryeministri Rama si Kryeinspektor i Përgjithshëm.

ARTUR SELMANI

Prokurori Adriatik Llalla me një vendim të firmosur sot pezulloi nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tij, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur.

artur-selmani

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më tej, Prokuroria e Apelit Vlorë, kanë gjetur mbështetjen e gjykatave respektive, të cilat kanë vendosur dënime maksimale për 3 personat e akuzuar. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë. Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kishin paraqitur pretendimet e tyre lidhur me akuzat dhe dënimet. Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë, shkruan Panorama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *