Policia ka ndërmarrë një aksion në të gjithë vendin për shkatërrimin e farës së hashashit që pushtoi gjithë vendin.
Vitin që shkoi në Shqipëri u tha se kultivuesit e drogës përdorën për herë të parë farën vietnameze të kanabisit. Lloji i bimës garanton që të mbjellat të jenë gati për korrje për 40 ditë. Ndryshimi me kanabisin që kultivohej më parë është se gjethja është pak më e vogël. Por bima është më e lartë dhe garanton të njëjtën sasi në kohë rekord. Fara vietnameze e kanabisit është një nga arsyet e sasive të mëdha të kanabisit që prodhoi këtë vit Shqiperia.
Policia kërkon ta parandalojë përsëritjen e fenomenit me një aksion në të gjithë vendin. Sipas një njoftimi zyrtar, “operacioni synon evidentimin dhe shkatërrimin e farishteve, kubikëve që mund të kultivojnë bimë narkotike, të sekuestrimit të farave cannabis sativa. Në operacion janë angazhuar mijëra punonjës Policie në të gjithë vendin” thuhet në njoftim.
Kontrollet po bëhen në serra, farishte, ish depot e ushtrisë, tunele e banesa të braktisura, njofton policia e shtetit. Puna e policëve të thjeshtë për asgjësimin e arave me kanabis gjatë verës ka qenë konstante. Ajo që nuk kuptohet dhe as hetohet është si kaloi në dogana fara e kanabisit, në sasi të tilla sa të mbilleshin sipërfaqe gjigande me kanabis.