Interpol Tirana ka bërë ekstradimin nga Sofia e Bullgarisë drejt vendit tonë të Samet Rasimi, 54 vjeç, lindur në Maqedoni.
Rasimi, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin penal nr. 3652, datë 22.11.2016, e ka dënuar me 12 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Mësohet se Rasimi, me banim në Danimarkë; pronar i një kompanie me seli në Slloveni, me objekt importimi dhe/ose shit-blerjen e pajisjeve elektronike, kompjuterave, telefonave celulare, fotokopjeve dhe pajisjeve të tjera në fushën e elektronikës (në bashkëpunim me kompani të ndryshme të huaja dhe vendase në zbatim të kontratës së nënshkruar me një kompani private në Shqipëri; ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit një shumë të konsiderueshme eurosh.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Sofia/Bullgari realizuan arrestimin provizor dhe ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.