Vetëm një dekadë më parë, shqiptarët i njihnin qendrat tregtare nga filmat e serialet, apo nga udhëtimet jashtë vendit. Sot ato janë përhapur kudo, sidomos në kryeqytet, ku po vazhdojnë të hapen të reja dhe po konkurrojmë denjësisht edhe me shtetet e Europës Perëndimore.
Sipas të dhënave nga Colliers International, stoku total i qendrave tregtare në Tiranë në fund të vitit 2016 ishte në total prej 178,800 m2 të GLA (sipërfaqja bruto për t’u dhënë me qira). Së shpejti pritet të shtohet dhe një qendër e re, Toptani Center, me 60 mijë metra katror, duke e çuar sipërfaqen në total në gati 240 mijë metra katror.
Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, ku jetojnë rreth 1.1 milionë banorë, treguesi i përqendrimit të qendrave tregtare, (që mat sipërfaqen e qendrave për 1000 banorë) shkon në rreth 220 m2 për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë. Në Itali psh, ky tregues është 227 m2 për 1000 banorë, në Gjermani 180 m2, në Greqi 56, në Spanjë 244, ndërsa shumë i lartë është në vendet nordike, ku kryeson Norvegjia, me gati 900 m2për 1000 banorë. Mesatarja e Europës qendrore është 209 m2 për 1000 banorë, sipas Europa Property.
Sipas raportit të Colliers, Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) është pozicionuar si një qendër tregtare e zonës dhe deri tani ka kënaqur nevojat e pjesës perëndimore të qytetit. Ashtu si në vitet e kaluara, pjesa më e madhe e negociatave për qiratë bëhen mbi baza të posaçme dhe ka pasur një rritje të fuqisë së negocimit nga ana e ofertuesve për vendet e preferuara.
Gjatë vitit 2016 ka pasur hyrje të reja në treg nga markat e mëposhtme ndërkombëtare: Calzedonia, Tezenis, S. Oliver dhe Timberland. Ata kanë zgjedhur të hapin dyqanet e tyre të para te TEG, duke mbështetur pozicionimin e qendrave tregtare në segmentin e shitjes me pakicë.
Përveç kësaj, shumë zinxhirë të pranishëm në vend të shitjes me pakicë (tekstile, elektronike dhe supermarketet) kanë zgjeruar praninë e tyre në Tiranë dhe qytete të tjera kryesore, si në qendrat tregtare dhe rrugët kryesore. Ky vit shënoi përsëri një sukses në rritje të qendrave tregtare kundrejt rrugëve kryesore.
Toptani Shopping Center është një projekt drejt përfundimit. Sipas njoftimit të fundit për shtyp, qendra pritet të hapet në mars 2017. Shumë marka të njohura kanë siguruar tashmë një prani në qendrën tregtare që pritet të jetë një mundësi biznesi për investitorët dhe kompanitë e interesuara në tregtinë me pakicë, zyrat dhe ambientet argëtuese. Me një sipërfaqe totale prej 60,000 metra katror të shpërndarë në 8 kate dhe vende parkimi për 600 makina, Colliers pohon se kjo qendër do të ofrojë një eksperiencë blerjesh dhe argëtimi njëkohësisht.
Sipas Colliers, vendosja e taksës për blerjet online mbi 22 euro, që nga gushti 2016 ka ndikuar pozitivisht të tregtuesit me pakicë. Colliers parashikon se ndikimi pozitiv në kahun e kërkesës do të jetë më i dukshëm në gjysmën e parë të 2017-s, teksa konsumatorët janë tashmë të detyruar të blejnë në tregun e brendshëm në mënyrë që të shmangin tarifat doganore dhe procedurat e zgjatura. Monitor