Prokurori special i Malit të Zi ka akuzuar drejtpërdrejt Rusinë dhe shërbimet sekrete të saj për komplotimin e një puçi që përfshinte edhe planet për të vrarë ish-kryeministrin e vendit ballkanik, raporton BBC.
Duke folur mbi ngjarjen Milivoje Katniç tha se hetimi ndaj komplotit të dyshuar gjatë tetorit të kaluar, me synimin për të rrëzuar qeverinë malazeze dhe parandalimin e bashkimit të Malit të Zi me NATO-n, ka treguar se “trupat shtetërore ruse janë përfshirë në një nivel të caktuar”.
Po sot zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov hodhi poshtë akuzën, duke e quajtur atë absurde dhe të papërgjegjshme.
“Nuk ka sesi të flitet as për ndonjë lloj ndikimi të zyrtarëve rusë në çështjet e brendshme të Malit të Zi”, tha Peskov. “Rusia nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera, e veçanërisht në Mal të Zi, një vend me të cilin ne kemi marrëdhënie shumë të mira”.
Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov mohoi gjithashtu atë që e përshkroi si “akuzë të pabazë”, duke shtuar se ajo nuk “mbështetej as nga një fakt i vetëm”.
Kremlini, që kundërshton prej kohësh zgjerimin e NATO-s në Europë, ka mohuar në vijimësi përfshirjen në komplotin në fjalë, megjithatë, Moska ka mbështetur në mënyrë aktive grupet nacionaliste që kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Rreth 20 persona, shumica e të cilëve shtetas serbë, u arrestuan në Mal të Zi pas akuzave për përfshirje në komplotin e ditës së zgjedhjeve parlamentare.