Botuesi i “MAPO-s”, Henri Çili komentoi sot situatën politike në vend. Ai i ftuar në “News24”, tha se LSI-së duhet të dalë e vetme në zgjedhjet e 18 qershorit, si pol i tretë politik.
“LSI duhet të trajtohet si një parti qeveritare dhe mos të trajtohet si parti opozitare. LSI në ekuilibrin politik ka një rol pozitiv, por njëherë e mirë duhet të nisë ky koncept. Duhet të kemi një LSI o në qeveri o në opozitë. Më e shëndetshme do të ishte një garë politike trepolare para zgjedhjeve. Logjika e do që të konkurrojnë së bashku si forca të majta, por për mua është mirë të kemi 3 koalicione”, deklaroi Henri Çili, duke theksuar se pas zgjedhjeve partitë e kanë vet në dorë me kë do të bëjnë koalicion.
Në lidhje me garancinë e zgjedhjeve që kërkon opozita, Çili e gjen me vend këtë shqetësim dhe thotë se duhet të merren disa masa shtesë, por jo të rrëzohet qeveria gjatë muajve që kanë mbetur.
“Kërkesa për qeveri teknike është pa kuptim, por ka kuptim të bëhen apo të kërkohen garanci shtesë për t’i dhënë zgjidhje obsesionit të zgjedhjeve. Qeveria teknike para zgjedhjeve është anti-demokratike. Ka një nivel të pranisë së elementëve kriminalë, të kultivimit të drogës edhe në perceptimin qytetar, këtu duhet të përqëndrohemi. Rama duhet të japë garanci shtesë për zgjedhjet. Pikë”, tha Henri Çili.